Pretendime nga Irani: Në sulmet izraelite u vra edhe një shkencëtar bërthamor, ishte nën sanksione amerikane

Mediat shtetërore iraniane kanë identifikuar një tjetër shkencëtar të rëndësishëm bërthamor që ka humbur jetën në sulmet izraelite, raporton CNN. Mohammad Reza Seddighi Saber, i cili punonte në programin bërthamor të Iranit, u vra në pjesën veriore të Teheranit.

Izraeli pretendon se gjatë 12 ditëve të fundit ka vrarë disa nga shkencëtarët më të njohur iranianë që kanë lidhje me programin bërthamor.

Seddighi Saber ishte ndër personat që më herët këtë vit ishin sanksionuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit dhe Departamenti i Thesarit për shkak të lidhjeve të tij me programin bërthamor iranian.

Sipas Departamentit të Shtetit, ai ishte në krye të një grupi që punonte për projekte të lidhura me eksplozivët në kuadër të Organizatës iraniane për Mbrojtje, Inovacion dhe Kërkime (SPND).

Projektet e këtij grupi përfshinin kërkime dhe testime të aplikuara për zhvillimin e pajisjeve bërthamore shpërthyese, thuhet në deklaratën e Departamentit të Shtetit.

Kategoritë
BotaLajme