Presidentja e Kosovës, Osmani: Dhuna nuk ka vend në tempullin e demokracisë

Presidentja e Kosovës, Osmani: Dhuna nuk ka vend në tempullin e demokracisë

“Përdorimi i dhunës fizike si mjet për t’i adresuar pakënaqësitë, dallimet apo mosmarrëveshjet politike është dëmi më i madh që mund t’i bëhet institucioneve që janë ndërtuar me aq shumë mund e sakrificë”, tha Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe tri partitë më të mëdha parlamentare, Lëvizja Vetëvendosje (VV), Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), kanë reaguar pas përballjes fizike që ndodhi sot në seancën e Kuvendit të Kosovës, raporton Anadolu.

Presidentja Osmani tha se përdorimi i dhunës fizike si mjet për t’i adresuar pakënaqësitë, dallimet apo mosmarrëveshjet politike është dëmi më i madh që mund t’i bëhet institucioneve që janë ndërtuar me aq shumë mund e sakrificë.

Osmani tha se “Kuvendi është gurthemeli i shoqërisë sonë demokratike, ku zëra të ndryshëm bashkohen për t’i përfaqësuar interesat e qytetarëve”.

“Ndaj dhuna nuk ka vend në tempullin e demokracisë dhe nuk mund të shndërrohet në mjet politik. Duhet ta riafirmojmë përkushtimin tonë ndaj demokracisë, mendimit ndryshe, sikurse edhe respektit të ndërsjellë, duke u mbështetur në sundimin dhe respektimin e ligjit”, theksoi ajo.

Partia në pushtet, VV, nëpërmjet një reagimi publik ka thënë se krimi i organizuar dhe dora e zgjatur grusht “nuk na ndalë në sjelljen e rendit dhe kushtetushmërisë në Republikë”.

“Sot në Kuvendin e Kosovës dora e zgjatur e atyre që nuk e duan shtetësinë, demokracinë dhe ligjin e Kosovës, u përpoq të bëhet grusht. Teksa kryeministri Albin Kurti po mbante fjalim duke treguar për betejën e Republikës së Kosovës për shtrirje të rendit e të ligjit në veri të vendit, disa deputetë të PDK sulmuan me grushte, si një bandë rrugaçësh, kryeministrin dhe ministrat e Kosovës”, shkruan VV.

Ky sulm, sipas kësaj partie, po bëhet ndaj qeverisë së parë të Kosovës “e cila nuk e ka asnjë ministër apo zv.ministër të kontrolluar nga Beogradi”. VV thotë se ky sulm erdhi si “veprim i koordinuar mes degëve të ndryshme të së njëjtës bandë”.

“Disa prej tyre i thonë vetes deputetë, disa i thonë vetes gazetarë, e disa protestues. Por, Kosova do të ecë përpara në konsolidimin e shtetësisë së saj, pavarësisht sulmeve të tilla”, shkruan VV duke shtuar se kriminelët që kanë dëmtuar shoqërinë dhe shtetin duke u pasuruar padrejtësisht nuk do të amnistohen.

Në anën tjetër, PDK-ja e ka dënuar sulmin e zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi ndaj deputetëve të PDK-së. Ajo tha se zv/kryeministri Bislimi provokoi opozitën duke i hequr fotografinë që ata i vendosën në foltore.

“Tani, gjithçka është e qartë. Kjo Qeveri, ky kryeministër, ky pushtet, shihet qartë se duke tentuar të fshehë koordinimin dhe bashkëpunimin me Millan Radojçiqin, po përdorë çdo mjet, edhe dhunën, ndaj deputetëve opozitarë. Ky Kuvend dhe kjo Qeveri nuk kanë më kurrfarë kuptimi dhe asnjë lloj kredibiliteti”, thuhet në reagimin e PDK-së.

Duke iu referuar përgjimeve që u publikuan këtë javë nga mediat vendore ku dëgjohet shefja e Grupit Parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari, duke biseduar me ish-deputetin serb nga Lista Serbe, Sllavko Simiq, PDK-ja tha se “një Qeveri që bashkëpunon me kriminelët serbë, në dëm të interesit të shtetit dhe qytetarëve të Kosovës, duhet të shkojë në shtëpi një orë e më parë”. Po ashtu, partia më e madhe opozitare kërkoi zgjedhje të reja.

LDK-ja i ka quajtur të shëmtuara pamjet e dhunës në Kuvendin e Kosovës. Ajo tha se këto pamje nuk e kanë pasur dhe nuk e kanë vendin në Kuvend.

“Instaluesit e dhunës në Kuvendin e Kosovës nuk kanë të drejtë moralizuese sot. Ata kanë ushqyer polarizimin e skajshëm shoqëror, kanë ushqyer gjuhën e urrejtjes, ndarjes e përplasjes në çdo sjellje e veprim të tyre; e bëjnë dhe sot. Këtë sjellje të papërgjegjshme, ndarëse e përplasëse nuk guxojmë ta ushqejmë njësoj”, shkruan LDK në reagimin e saj, duke shtuar se ajo “do të vazhdojë, si gjithherë, të mbrojë dhe ushtrojë vlerat bazike demokratike e shtetare në çdo sjellje të saj”.

– Si erdhi deri te përleshja fizike në Kuvendin e Kosovës?

Fillimisht, deputetë të partisë më të madhe opozitare, PDK-së, por edhe ata të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), kritikuan pushtetin për bashkëpunim me Listën Serbe, pas publikimit të një përgjimi telefonik që doli këtë javë midis shefes së grupit parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari me ish-deputetin e Listës Serbe, Sllavko Simiq.

Pas fjalëve të deputetëve, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, i dha të drejtën e fjalës kryeministrit Kurti i cili doli në foltoren ku u vendos pllakatë me mbishkrimin “Zdravo”, e cila u përdor njëjtë në bisedën e Kusarit me Simiqin.

Derisa kryeministri Kurti po fliste, deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, e vendosi fotografinë e Kurtit me “hundë të gjatë” po ashtu në këtë foltore, ndërsa me një reagim të shpejtë, këtë fotografi e hoqi zv/kryeministri Bislimi.

Pas kësaj, deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, doli te foltorja duke e spërkatur me ujë kryeministrin Kurti dhe zv/kryeministrin Bislimi, por si kundërpërgjigje edhe ai u godit me një shishe qelqi në fytyrë nga zv/kryeministri Bislimi.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i deputetëve nga të dyja palët, VV dhe PDK të cilët kanë dalë rreth foltores. Përplasja fizike ka zgjatur më pak se një minutë.

Kategoritë
LajmeVendi
Reklamë: ABE Kosova