Presidenti i ri i Polonisë, Karol Nawrocki, i është përgjigjur urimit të presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky për fitoren zgjedhore, duke theksuar se dy vendet duhet të vazhdojnë partneritetin e tyre, por edhe të hapin çështje nga e kaluara e përbashkët që ende nuk janë zgjidhur.
“Pres me padurim vazhdimin e partneritetit midis vendeve tona, të bazuar në respekt dhe mirëkuptim të ndërsjellë. Besoj se për këtë nevojitet jo vetëm dialog i mirë, por edhe zgjidhja e çështjeve historike të pazgjidhura,” shkroi Nawrocki në rrjetin social X, duke iu përgjigjur mesazhit të Zelenskyt, i cili e quajti Poloninë “shtyllë të sigurisë evropiane” dhe “zë të lirisë dhe dinjitetit për të gjitha kombet”.
Nawrocki, historian me profesion dhe ish-drejtor i Institutit për Kujtesën Kombëtare (IPN), edhe më parë gjatë karrierës së tij ka treguar interes të madh për çështjet historike, veçanërisht në kontekstin e marrëdhënieve polako-ukrainase.
Deklarata e tij tani, si president, sinjalizon se marrëdhëniet mes dy vendeve mund të hyjnë në një fazë të re, ku përveç bashkëpunimit të fortë politik dhe ushtarak kundër agresionit rus, do të vihet më shumë theks edhe në temat e ndjeshme të së kaluarës – siç është masakra ndaj polakëve në Volini gjatë Luftës së Dytë Botërore, por edhe trajtimi i ukrainasve në Poloninë e pasluftës, përfshirë aksionin “Visla”.
Në vazhdim të mesazhit të tij, Nawrocki theksoi se Polonia ka qenë aleati më i fuqishëm i Ukrainës në luftën kundër agresionit rus.
“Asnjë komb tjetër nuk e kupton më mirë këtë kërcënim se ne, dhe shpresoj që të vazhdojmë të punojmë së bashku për të mirën e përbashkët, për zgjidhjen e së kaluarës së pazgjidhur dhe ndërtimin e një të ardhmeje të sigurt,” shtoi Nawrocki.
Është e qartë se ky ton i presidentit të ri është përpjekje për të balancuar mes vazhdimit të mbështetjes strategjike për Ukrainën dhe nevojës për të qetësuar pakënaqësinë në rritje të një pjese të opinionit publik polak, veçanërisht të së djathtës, e cila beson se disa krime historike janë lënë pas dore.
Marrëdhëniet mes Varshavës dhe Kievit kanë mbetur të forta gjatë luftës, por herë pas here janë tensionuar për shkak të mosmarrëveshjeve tregtare, politikave për refugjatët dhe pikërisht – çështjeve historike. Mesazhi i Nawrockit sugjeron se këto tema mund të hapen në muajt në vijim, ndoshta përmes komisioneve bilaterale zyrtare ose nismave të përbashkëta përkujtimore.
Mbetet për t’u parë se si do të përgjigjet pala ukrainase ndaj këtij thirrjeje për “zgjidhjen e së kaluarës”. Për momentin, mesazhet nga Kievi janë ende të fokusuara në unitetin evropian dhe rezistencën e përbashkët ndaj agresionit rus.