Presidenti i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së: Situata në Gaza “katastrofike, e pandërgjegjshme dhe e turpshme”

Duke u kërkuar vendeve anëtare të OKB-së që “të punojnë shumë më fort për t’i dhënë fund menjëherë këtij konflikti”, shefi i Asamblesë së Përgjithshme po ashtu bëri thirrje për përpjekje drejt zgjidhjes me dy shtete

Presidenti i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (OKB), Dennis Francis, e ka përshkruar situatën në Gaza si “katastrofike, të pandërgjegjshme dhe të turpshme”, transmeton Anadolu.

Duke folur në një debat mbi veton e 20 shkurtit nga SHBA-ja për një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së mbi krizën e Gazës, Francis shprehu tronditjen e tij dhe tha se është “i tmerruar nga raportimi për vrasjen dhe plagosjen e qindra njerëzve gjatë disbursimit të furnizimeve ushqimore, në perëndim të qytetit Gaza javën e kaluar”.

Të enjten, forcat izraelite hapën zjarr ndaj një turme palestinezësh që prisnin ndihmë humanitare në rreth-rrotullimin Al Nablusi në rrugën Al Rashid, një rrugë kryesore bregdetare në perëndim të qytetit Gaza, duke lënë të paktën 112 palestinezë të vdekur dhe 760 të plagosur.

Ushtria izraelite tha se një hetim fillestar zbuloi se palestinezët iu afruan një postblloku ushtarak që mbikëqyrte hyrjen e kamionëve të ndihmës kur ushtarët qëlluan të shtëna paralajmëruese dhe gjuajtën në këmbët e palestinezëve që vazhduan të lëviznin drejt trupave.

Duke theksuar se “komunitete të panumërta janë shkatërruar dhe familje të panumërta janë zhdukur”, Francis po ashtu citoi fjalët e koordinatorit të ndihmës emergjente të OKB-së, Martin Griffiths, se “çdo operacion tokësor në Rafah do të linte në derën e vdekjes operacionin humanitar tashmë të brishtë”.

“Prandaj, urgjentisht bëj thirrje që të mbizotërojë përmbajtja maksimale për të shpëtuar jetët e civilëve të pafajshëm”, shtoi Francis.

Duke u kërkuar vendeve anëtare të OKB-së që “të punojnë shumë më fort për t’i dhënë fund menjëherë këtij konflikti”, shefi i Asamblesë së Përgjithshme po ashtu bëri thirrje për përpjekje drejt zgjidhjes me dy shtete.

Lidhur me armëpushimin e përkohshëm, Francis tha se kjo “do të lejojë pengjet të kthehen në shtëpi te familjet e tyre” dhe “do të ndalojë vuajtjet e përhapura të kaq shumë fëmijëve, grave dhe burrave palestinez”.

Duke u zotuar se do të punojë për “përshpejtimin e mbështetjes humanitare për popullin palestinez”, më tej Francis tha se “do të vazhdojë të angazhohet pa u lodhur në diplomacinë e drejtpërdrejt dhe negociatat në terren”.

Izraeli nisi një ofensivë vdekjeprurëse në Rripin e Gazës pas një inkursioni ndërkufitar nga grupi palestinez Hamas më 7 tetor. Bombardimet izraelite që pasuan kanë vrarë të paktën 30.534 palestineze dhe kanë plagosur rreth 72 mijë të tjerë, me një shkatërrim masiv dhe mungesë të nevojave themelore.

Izraeli gjithashtu ka vendosur një bllokadë në Rripin e Gazës, duke e lënë në prag të urisë popullsinë e enklavës, veçanërisht në pjesën veriore.

Sipas OKB-së, lufta izraelite ka çuar në zhvendosjen e brendshme të 85 për qind të popullsisë së Gazës mes mungesës akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve. Po ashtu 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar.

Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në një vendim të përkohshëm në muajin janar urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet gjenocidale dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza.

Kategoritë
BotaLajme