Pothuajse gjysmë milioni letra dërguar me kërkesë që Izraeli të mos dëmtojë anijen ku ndodhet Greta Thunberg

Një fushatë online e organizuar nga Koalicioni Freedom Flotilla (FFC), e cila u bën thirrje qytetarëve të dërgojnë letra me kërkesën që Izraeli të mos sulmojë aktivistët në anijen Madleen, ku ndodhet edhe aktivistja Greta Thunberg, ka mbledhur tashmë më shumë se 498.000 letra të dërguara në adresat e zyrtarëve izraelitë, Kombeve të Bashkuara dhe qeverive të huaja.

Në tekstin e letrës së përgatitur thuhet:

“Çdo ndalim, sulm, sabotim apo pengesë ndaj Madleen dhe udhëtarëve civilë në bord përbën një sulm të qëllimshëm, të vetëdijshëm dhe të paligjshëm ndaj civilëve dhe një shkelje të së drejtës ndërkombëtare.”

Koalicioni thekson se kjo letër nuk është e mjaftueshme për të ndalur një sulm të mundshëm, porse zëri dhe veprimi konkret i qytetarëve është ai që mund të sigurojë mbrojtje reale.

Qëllimi i tyre është të arrihet shifra prej më shumë se 800.000 letrash.

Ndërkohë, udhëtarët e anijes Madleen, e cila po përpiqet të thyejë bllokadën izraelite të Gazës, kanë publikuar video ku dëgjohen dronë duke fluturuar mbi mjetin lundrues. Sipas tyre, bëhet fjalë për dron izraelit të operuar nga rojet bregdetare greke.

Kategoritë
BotaLajme