Politologu gjerman Tomas Jeger nga Universiteti i Këlnit beson se debati i ashpër mes presidentit amerikan Donald Trump dhe presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky në Shtëpinë e Bardhë ishte një lëvizje e kalkuluar.
“Ishte ylli i televizioneve ‘reality’ Donald Trump, i cili bëri pikërisht atë që bën zakonisht: sulmoi verbalisht dikë para kamerave”, tha ai.
Ai theksoi se kjo ka qenë “shenja e tij dalluese prej një kohe të gjatë”, dhe se gjithçka ishte e planifikuar, ndërsa Zelensky ra në kurthin e ngritur.
“Kjo nuk është rastësi, nuk është provokim. Është e inskenuar”, tha eksperti për takimin e së premtes në Shtëpinë e Bardhë.
Ajo që fillimisht ishte menduar si një mundësi për të diskutuar sigurinë dhe bashkëpunimin ekonomik, shpejt u shndërrua në një përplasje përpara gazetarëve në Zyrën Ovale.
Zëvendëspresidenti amerikan JD Vance e akuzoi Zelenskyn se nuk kishte treguar mjaftueshëm mirënjohje për ndihmën afatgjatë amerikane kundër pushtimit rus, ndërsa Trump i tha presidentit ukrainas që të arrijë një marrëveshje me Rusinë, përndryshe do të humbasë mbështetjen e SHBA-së.
Politologu Jeger vuri në dukje presionin me të cilin është përballur Trump që kur ka nisur bisedimet bilaterale me Rusinë.
“Ditët e fundit është bërë shumë e qartë se Trump nuk po përparon në planin e tij për të përfunduar disi këtë luftë”, tha Jeger, duke iu referuar premtimit elektoral të presidentit të ri amerikan. Ai shtoi se arsyeja është se Rusia po dikton kushtet.
Ai e përshkroi Trumpin si “njeriun e Putinit në Shtëpinë e Bardhë”.
Megjithatë, duke qenë se qytetarët amerikanë nuk i besojnë Putinit, Trump “duhet të poshtërojë Ukrainën, duhet të poshtërojë Zelenskyn, në mënyrë që t’u paraqesë amerikanëve një propozim për t’i dhënë fund kësaj lufte – që në fund të fundit do të thotë dorëzim i Ukrainës dhe që Ukraina thjesht nuk e meriton më mbështetjen e SHBA-së”.