Polakët po përgatiten për më të keqen: Të gjithë burrat e rritur do të duhet të dinë të përdorin armët, do të ndërtohen edhe strehimore

Kryeministri polak Donald Tusk deklaroi se po punohet për të siguruar që të gjithë burrat në Poloni të kalojnë një trajnim ushtarak.

Në një fjalim para parlamentit polak, Tusk tha se qeveria planifikon të paraqesë të gjitha detajet gjatë muajve të ardhshëm.

Në Sejm, ai theksoi se po bëhen përpjekje për të organizuar “trajnim në shkallë të gjerë për çdo burrë të rritur në Poloni”.

“Do të përpiqemi që deri në fund të këtij viti të kemi një model të gatshëm, në mënyrë që çdo burrë i rritur në Poloni të jetë i trajnuar për rast lufte, në mënyrë që ky rezervë ushtarak të jetë i krahasueshëm dhe adekuat për kërcënimet e mundshme”, tha lideri polak.

Tusk tha se ushtria ukrainase numëron 800,000 ushtarë, ndërsa Rusia ka rreth 1.3 milionë, dhe ai synon të rrisë numrin e forcave polake, duke përfshirë rezervistët, në 500,000 nga rreth 200,000 që janë aktualisht.

“Po flitet për nevojën që Polonia të ketë një ushtri prej gjysmë milioni ushtarësh, përfshirë rezervistët. Duket se, nëse i organizojmë gjërat me mençuri – dhe po flas vazhdimisht me ministrin e mbrojtjes – do të duhet të përdorim disa qasje. Kjo do të thotë jo vetëm mbështetje te rezervistët, por edhe trajnim intensiv në mënyrë që edhe ata që nuk shërbejnë në ushtri të bëhen ushtarë të trajnuar dhe të aftë në rast konflikti”, tha Tusk.

Tusk shtoi se edhe gratë mund të kalojnë trajnim ushtarak, por se “lufta mbetet ende, në masë të madhe, domen i burrave”.

Polonia tashmë planifikon të shpenzojë këtë vit 4.7% të PBB-së për mbrojtjen, përqindja më e lartë në aleancën e NATO-s.

Tusk i tha parlamentit se ky shpenzim duhet të rritet në 5% të PBB-së.

Më herët, presidenti Andrzej Duda propozoi ndryshime në kushtetutë për të detyruar shpenzimin e të paktën 4% të PBB-së për mbrojtjen.

Tusk tha gjithashtu se mbështet tërheqjen e Polonisë nga Konventa e Otavës, e cila ndalon përdorimin e minave kundër personelit, dhe ndoshta edhe nga Konventa e Dublinit, e cila ndalon përdorimin e municioneve kasetore.

Polonia ka rritur shpenzimet për mbrojtjen që nga fillimi i pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022.

Ajo ka nënshkruar marrëveshje për blerjen e armëve në vlerë prej rreth 20 miliardë dollarësh me Shtetet e Bashkuara, duke përfshirë blerjen e 250 tankeve M1A2 Abrams, 32 avionëve luftarakë F-35, 96 helikopterëve Apache, sistemeve raketore Javelin dhe sistemeve të artilerisë raketore.

Varshava gjithashtu ka nënshkruar marrëveshje me Korenë e Jugut për blerjen e tankeve K2 dhe avionëve të lehtë luftarakë FA-50.

Në Poloni po rritet shqetësimi për sigurinë e ardhshme pas vendimit të presidentit amerikan Donald Trump për të pezulluar ndihmën ushtarake për Ukrainën. Shumica e polakëve besojnë se mbështetja për Ukrainën është në interesin e sigurisë së tyre.

Mirosław Kaznowski, zëvendës-kryetari i bashkisë së Milanówka, një qytet i vogël pranë Varshavës, tha për BBC News këtë javë se një mik i tij ka vendosur të investojë në një kompani start-up që ndërton strehimore nëntokësore me kosto të ulët për biznese dhe familje. Ai shtoi se interesi për këtë ide është shumë i madh.

Kategoritë
BotaLajme