Ministri amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, deklaroi në një konferencë sigurie në Singapor se Kina po përgatitet të përdorë forcën ushtarake për të prishur ekuilibrin e fuqisë në Azi.
Ai paralajmëroi për pasojat e mundshme të një sulmi ndaj Tajvanit dhe theksoi se Shtetet e Bashkuara do të qëndrojnë të pranishme në rajonin aziatiko-paqësor. Përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikën e jashtme, Kaja Kallas, vuri në dukje se siguria e Evropës dhe rajonit Azi-Paqësor janë të ndërlidhura ngushtë dhe bëri thirrje për bashkëpunim më të fortë në përballjen me fuqinë ekonomike të Kinës.
Hegseth, në fjalën e tij në ditën e dytë të konferencës së sigurisë Shangri-La – forumi më i madh aziatik për siguri dhe mbrojtje – theksoi se SHBA po ndjek me vëmendje çdo veprim destabilizues të Pekinit.
Ai deklaroi se Kina po ndërton një ushtri të aftë për të ndërmarrë një pushtim të Tajvanit, duke kujtuar se presidenti kinez Xi Jinping i ka urdhëruar forcat e tij të jenë gati për këtë deri në vitin 2027.
“Kina po përgatitet për një ndërhyrje ushtarake ndaj Tajvanit. Nuk ka pse ta zbukurojmë: kërcënimi që paraqet Kina është real dhe potencialisht i drejtpërdrejtë,” tha Hegseth.
Për herë të parë pas gjashtë vitesh, Kina nuk e dërgoi ministrin e saj të Mbrojtjes në konferencën Shangri-La, që zakonisht përdorej si një termometër për marrëdhëniet Pekin-Washington. Analistët besojnë se kjo është një përpjekje e qëllimshme për të shmangur përballjen me SHBA-të.
Kaja Kallas: Evropa dhe Azia janë të lidhura – nevojitet bashkim kundër Kinës
Kaja Kallas, përfaqësuesja e lartë e BE-së për politikë të jashtme, duke folur në të njëjtën konferencë, theksoi se Evropa tashmë ka filluar të rrisë investimet në mbrojtje dhe theksoi lidhjen mes sigurisë evropiane dhe asaj të Azisë.
Ajo reagoi ndaj kërkesave të përsëritura të SHBA-ve për rritjen e buxhetit të mbrojtjes, duke e quajtur retorikën e Donald Trumpit një formë të “dashurisë së ashpër”.
“Dashuria, sado e ashpër, është më mirë se aspak dashuri,” komentoi Kallas me ironi.
Ajo shtoi se BE-ja po e rishikon projektin e saj të paqes si një projekt të mbështetur mbi mbrojtje të fortë dhe se shumë vende evropiane tashmë e kanë kuptuar nevojën për t’u përgatitur për kërcënime të reja.
Kallas theksoi se kërcënimet nga Rusia dhe Kina janë të lidhura. Si shembull përmendi praninë e ushtarëve të Koresë së Veriut në Ukrainë dhe faktin që Kina po furnizon me pajisje ushtarake Rusinë.
“Nëse ju shqetëson Kina, duhet t’ju shqetësojë edhe Rusia,” tha ajo.
Ajo hodhi poshtë idenë se SHBA duhet të fokusohet vetëm në Azinë-Paqësor ndërsa Evropa merret vetëm me fqinjësinë e saj. Sipas saj, BE-ja synon të ndërtojë partneritete të reja në rajonin Azi-Paqësor, bazuar në interesa të përbashkëta – si në mbrojtje, ashtu edhe në ekonomi.
Në fund, Kallas theksoi se dominanaca ekonomike kineze mund të përballohet vetëm përmes bashkëpunimit të gjerë ndërkombëtar, përfshirë partnerët me qëndrime të ngjashme si SHBA, Britania e Madhe, Australia, Zelanda e Re, Japonia, Koreja e Jugut dhe Singapori.