Gjatë ceremonisë së vendosjes së gurthemelit për një çerdhe në lagjen Bardhosh të Prishtinës, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe kryetari i kryeqytetit, Përparim Rama, kanë shkëmbyer deklarata të mprehta përpara mediave, duke nxjerrë në pah tensionet politike mes nivelit qendror dhe atij lokal, shkruan Gazeta Sinjali.
Kryetari Rama e nisi përplasjen me një thirrje publike drejtuar Kurtit, duke i kërkuar zhbllokimin e buxhetit të Prishtinës, që sipas tij ka lënë pezull projekte madhore. Ai i kërkoi Kurtit një takim, duke theksuar se nuk janë takuar që katër vite.
“I bëj thirrje kryeministrit ta zhbllokojë buxhetin. Është koha të takohemi dhe të bashkëpunojmë për të mirën e qytetarëve,” tha Rama.
Por përgjigjja e Kurtit ishte e prerë dhe përçmuese: “Pas vjeshtës, ndoshta kryetari Rama duhet të gjejë një punë tjetër,” tha ai, duke nënvizuar se qeveria ka investuar mbi 12 milionë euro në arsim në Prishtinë dhe se projektet madhore kërkojnë planifikime të tjera, ndoshta “me dikë tjetër”.
Rama u kundërpërgjigj menjëherë, duke deklaruar se do të vazhdojë të jetë në krye të Prishtinës edhe pas zgjedhjeve lokale të 12 tetorit. “Do të jem prapë kryetar. E ftoj Kurtin që, nëse mbetet në detyrë pas zgjedhjeve, të mos sabotojë kryeqytetin siç ka bërë për katër vite,” tha ai.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!