Zyrtarë të lartë amerikanë dhe ukrainas do të takohen javën e ardhshme në Arabinë Saudite për të diskutuar përpjekjet për arritjen e një armëpushimi në luftën me Rusinë.
Ky do të jetë takimi i parë në nivel të lartë midis këtyre vendeve pas përplasjes publike midis presidentit amerikan Donald Trump dhe homologut të tij ukrainas, Volodimir Zelenski, në Zyrën Ovale javën e kaluar.
Ky konflikt ka çuar në një krizë të paparë midis SHBA-së dhe Ukrainës, duke shkaktuar pezullimin e dërgesave të armëve dhe shkëmbimit të informacioneve të inteligjencës me Ukrainën, shkruan Axios.
Takimi në Arabinë Saudite vjen pas një takimi të ngjashëm që zyrtarët amerikanë patën me kolegët e tyre rusë në Riad dy javë më parë.
Ai takim shkaktoi shqetësim dhe zemërim te liderët ukrainas, pasi ata nuk u ftuan të marrin pjesë.
Takimi i ardhshëm u planifikua për të mërkurën gjatë një bisede telefonike midis këshilltarit të Shtëpisë së Bardhë për sigurinë kombëtare, Mike Waltz, dhe shefit të kabinetit të Zelenskit, Andrij Jermak. Takimi pritet të mbahet në Riad me pjesëmarrjen e përfaqësuesit Steve Witkoff dhe sekretarit të shtetit Mark Rubio.
Pritet gjithashtu që vetë Volodimir Zelenski të vizitojë Arabinë Saudite të hënën dhe të martën e ardhshme dhe të takohet me princin e kurorës, Mohamed Bin Salman./Gazetaere