Zyrtarë nga Partia Demokratike e Kosovës në një konferencë kanë folur për aktgjykimin i fundit të Gjykatës Kushtetuese lidhur me propozimin e kandidatit dhe mënyrën e votimit për kryetar të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda, ka thënë se aktgjykimi në fjalë e përcakton qartë se ndonëse grupi më i madh parlamentar ka të drejtë të propozojë kandidatin për kryetar të Kuvendit, duhet të ketë shumicën e votave.
“Gjykata e bën të qartë se e drejta për të propozuar Kryetarin nuk mund të përdoret për të bllokuar konstituimin e Kuvendit. Me fjalë të tjera, grupi më i madh parlamentar nuk mund të përdorë këtë të drejtë si mjet për të penguar procesin demokratik, duke refuzuar bashkëpunimin apo duke imponuar një zgjidhje njëanshme”, theksoi ai.
Ndërsa, avokati dhe përfaqësuesi ligjor i Partisë Demokratike të Kosovës, Faton Fetahu tha Gjykata ka vërejtur se kreu i IV i Rregullores së Kuvendit për konstituimin e Kuvendit, nuk përmban asnjë referencë që parasheh ndryshimin e rendit të ditës ose mënyrës së votimit.
“Rrjedhimisht, Gjykata marrë për bazë vlerësimin dhe konstatimet si më sipër konsideron që zhvillimi dhe përfundimi i Seancës Konstituive duhet të udhëhiqet në pajtim me përcaktimet kushtetuese për konstituimin e Kuvendit, Kreun IV (Konstituimi i Kuvendit) të Rregullores së Kuvendit dhe praktikat e deritanishme parlamentare për konstituimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës”, tha më tej Fetahu.
Fetahu ka theksuar disa nga konstatimet kryesore të aktgjykimit duke nisur nga rendi i ditës së seancës konstituive, i cili është i pandryshueshëm dhe nuk mund të ndryshohet pas fillimit të seancës konstituive, si dhe zgjedhja e Kryetarit është e ndarë nga ajo e Nënkryetarëve.
“Kuvendi duhet të konstituohet brenda afatit prej 30 ditësh nga nxjerrja e aktgjykimit, në mënyrë që të sigurohet stabiliteti dhe funksionaliteti i institucioneve të shtetit”, theksoi Fetahu. /Telegrafi/