Pasojat nga SHBA – zyrtari i lartë amerikan vjen në Kosovë, e takon veç Osmanin, Kurti s’është në agjendë

Ndihmës Sekretari për Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit, Todd D. Robinson të mërkurën vjen në Kosovë.

Departamenti amerikan i Shtetit njoftoi se ai fillimisht do të udhëtojë në Tiranë, ku do të takohet me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.

Robinson më pas do të vijë në Kosovë më 20-22 mars, por nuk do të takohet me kryeministrin e vendit, sikur në Tiranë. Në Prishtinë, ai do ta takojë presidenten Vjosa Osmani, raporton Gazeta Express.

“Nga data 20-22 mars, Ndihmës Sekretari Robinson do të udhëtojë në Prishtinë, Kosovë, ku do të takohet me Presidenten e Kosovës Vjosa Osmani dhe me partnerët në sektorin e zbatimit të ligjit dhe drejtësisë”, njoftoi DASH.

Kryeministri Albin Kurti u ‘injorua’ së fundmi edhe nga zyrtarja e lartë amerikane e USAID-it, Erin E McKee, e cila në fillim të këtij muaji qëndroi në Kosovë për një vizitë zyrtare. Edhe ajo pati takim vetëm me Osmanin.

Emisari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar së fundmi ka folur për pasoja për Kosovën, për shkak të padëgjueshmërisë së Qeverisë ndaj kërkesave amerikane. Ai tha të premtën se ka dy vjet që askush nga Qeveria s’ka pasur takime të nivelit të lartë me dikë nga administrata amerikane.

“Tani, pyetja nuk është nëse do të ketë masa, por, padyshim, ka pasoja. Po kalojmë në vitin e dytë, ndoshta edhe vitin e tretë, dhe nuk ka pasur takime të nivelit të lartë mes askujt në Qeverinë e Kosovës dhe dikujt në administratën amerikane”, tha Escobar në një intervistë për Radion Evropa e Lirë. “Pra, ky duhet të jetë gjithashtu një tregues për njerëzit se ku është marrëdhënia”, shtoi diplomati amerikan

Kategoritë
BotaLajmeVendi