Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka shpallur se kontrollin mbi rindërtimin e Gazës do ta marrë një shtet që ata e shohin si të përshtatshëm dhe se palestinezët duhet të “zhvendosen në vendet arabe përreth”, çka ka shkaktuar kritika nga një numër i madh zyrtarësh botërorë.
Portali amerikan Axios ka publikuar detaje mbi këtë shpallje dhe sipas pretendimeve të tyre, për këtë formulim nuk ishte në dijeni as kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, i cili ndodhej për vizitë zyrtare në Uashington, as anëtarët e ekipit të tij.
Sipas Axios, Trump kishte synuar të thoshte diçka “bombastike” për të tërhequr vëmendjen e botës dhe bashkëpunëtorët e tij ishin dakord, edhe pse disa prej tyre u detyruan të shpjegonin më vonë se zhvendosja e palestinezëve ishte menduar si një masë “e përkohshme” dhe jo e përhershme.
Burime nga Shtëpia e Bardhë tregojnë se Trump, pasi mbajti konferencën për shtyp, kishte planifikuar një takim privat me Netanyahun, por gjithçka ndryshoi në momentin e fundit, duke u mbajtur në vend të tij një diskutim më i gjerë.
Në këto bisedime morën pjesë, përveç Trump dhe Netanyahu, zëvendëspresidenti i SHBA-së JD Vance, i dërguari i posaçëm për Lindjen e Mesme Steve Witkoff, sekretari i shtetit Marco Rubio dhe disa prej bashkëpunëtorëve më të afërt të këtyre dy liderëve botërorë.
Sipas Axios, arsyeja kryesore për deklaratën e diskutueshme të Trump-it ishte një mesazh nga Witkoff, i cili e informoi presidentin amerikan se rindërtimi i Gazës mund të zgjasë 10 deri në 15 vjet.
Në atë moment, Trump mendoi një “plan” që vendet arabe përreth, kryesisht Egjipti dhe Jordania, të pranonin palestinezët, ndërsa SHBA-ja do ta kthente Gazën në një “Rivierë të Lindjes së Mesme”.
Nga ana tjetër, bashkëpunëtorët e Netanyahut pohuan se Trump nuk dha shpjegime se si do t’i “detyronte” Egjiptin dhe Jordaninë të pranonin palestinezët dhe nuk sqaroi nëse kjo zhvendosje do të ishte e përhershme apo e përkohshme.
Për më tepër, bashkëpunëtorët e Trump-it e përshkruan këtë shpallje si një “pozicionim për negociata”, ndërsa kritikët e cilësuan si një formë të “spastrimit etnik” në këtë pjesë të Palestinës.
Axios gjithashtu pohon se Trump e kishte improvizuar këtë ide pas komenteve të Witkoff-it dhe se plani fillestar kishte qenë që së bashku me Netanyahun të shpallnin “presion maksimal ndaj Iranit”, shtetin që Izraeli e konsideron si armikun më të madh në rajon.
Megjithatë, Trump vlerësoi se një shpallje e tillë nuk do të ishte “mjaftueshëm shpërthyese”, prandaj, pa u konsultuar me Netanyahun dhe ekipin e tij, tha diçka që më pas u kritikua nga shumë liderë botërorë.
Trump llogariti gjithashtu në mbështetjen e aleatëve të SHBA-së në rajon, kryesisht Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Sidoqoftë, liderët e këtyre vendeve thanë se nuk janë dakord me këtë plan dhe në prapaskenë i bënë të ditur Trump-it se një ide e tillë mund të destabilizonte ndjeshëm Lindjen e Mesme, veçanërisht Egjiptin dhe Jordaninë, duke e dështuar planin e tij për “paqe të përjetshme” në rajon.
Në një deklaratë të mëvonshme për media, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, u përpoq të “shuhej zjarri”, duke thënë se Trump nuk planifikon të përdorë ushtrinë apo paratë amerikane dhe “pret që financimin ta mbulojnë vendet arabe”.
Megjithatë, sipas Axios, një plan i tillë nuk ka gjasa të marrë mbështetjen e vendeve të Lindjes së Mesme, sidomos nëse përfshin ndonjë zhvendosje të palestinezëve nga Gaza.

