Pas kulisave të administratës së Trumpit: Gjithnjë e më shumë shqetësime, problem mund të jetë edhe Elon Musk

Donald Trump mbajti mbrëmë një fjalim në Kongresin e SHBA-së, i cili theu rekorde si për numrin e fjalëve ashtu edhe për kohëzgjatjen. Ndërsa anëtarët e Partisë Republikane qëndruan fort pas presidentit amerikan, Axios zbulon se pas skeneve po rritet shqetësimi.

Sipas këtij mediumi amerikan, Trump dhe administrata e tij janë ende në “fazën e muajit të mjaltit” (honeymoon phase), pra ende kanë besimin e votuesve të tyre dhe bazës politike.

Për këtë arsye, Trump dhe krahu i tij republikan kanë mjaftueshëm fuqi për të “vendosur rregull” brenda Partisë Republikane përmes një presioni masiv mediatik, duke krijuar idenë e unitetit brenda partisë.

Megjithatë, midis republikanëve dhe brenda ekipit të Trumpit, po rritet shqetësimi për disa faktorë që nuk janë në favor të tij.

Një anëtar i administratës së Trumpit i tha Axios se është “i shqetësuar”, kryesisht për situatën në bursë, por edhe për publicitetin negativ që sjell Elon Musk, miliarderi dhe bashkëpunëtori i afërt i presidentit amerikan.

Vendimi i Trumpit për të vendosur tarifa mbi mallrat nga Meksika, Kanadaja dhe Kina – si dhe paralajmërimet për tarifa të reja ndaj vendeve të tjera – kanë pasur një ndikim jashtëzakonisht negativ në bursë, e cila ka qenë në një “rënie të lirë” gjatë ditëve të fundit.

Edhe pse Trump kishte premtuar uljen e çmimeve – një nga arsyet pse shumë votues i dhanë besimin e tyre – zinxhirë të mëdhenj tregtarë si Target kanë paralajmëruar tashmë klientët e tyre për një “rritje çmimesh”, edhe pse nuk kanë dhënë më shumë detaje.

Një numër i madh votuesish besojnë se Trump duhet ta vendosë ekonominë si prioritetin kryesor – 82% e tyre e mbështesin këtë ide – por vetëm 31% mendojnë se ai ka ndërmarrë hapa konkretë për këtë që nga inaugurimi i tij në postin e presidentit.

Politika e jashtme e paparashikueshme e Trumpit shkakton shqetësim te aleatët

Një tjetër problem lind nga politika e tij e jashtme e paparashikueshme, për shkak të së cilës aleatët e SHBA-së, si Gjermania, Franca, Mbretëria e Bashkuar dhe Kanadaja, kanë gjithnjë e më pak besim te Uashingtoni.

Kjo është veçanërisht e dukshme në marrëdhëniet me Kanadanë, ku kryeministri Justin Trudeau ka kritikuar Trumpin për këmbënguljen e tij se “Kanadaja do të bëhet një shtet i ri federal i SHBA-së”, si dhe për “luftën shumë të pakuptimtë të tarifave doganore”.

Statistikat tregojnë se në fund, koston e tarifave, në të dyja anët, do ta paguajnë konsumatorët – pra, kryesisht qytetarët amerikanë.

Ndërsa Trump, sipas Axios, vazhdon të ruajë një imazh pozitiv, kryesisht përmes mediave brenda rrethit të tij MAGA, mbetet për t’u parë sa kohë do të zgjasë durimi i votuesve të tij, të cilët tashmë po shprehin pakënaqësi për çështjet që ai ka zgjedhur të vendosë në qendër të vëmendjes gjatë javëve të para të mandatit të tij të dytë./Gazetaere

Kategoritë
BotaLajme