Kapiteni i Manchester Unitedit dhe lojtari më i qëndrueshëm i klubit në vitet e fundit, Bruno Fernandes, ka refuzuar një ofertë të jashtëzakonshme nga Arabia Saudite.
Prej ditësh portugezi po mendonte për një transferim të mundshëm, pasi ishte kontaktuar nga kampioni saudit Al-Hilal, i cili i ofroi kushte që duken si të ardhura nga një tjetër realitet.
Sipas mediave më të mëdha ndërkombëtare, përfshirë Fabrizio Romanon, Fernandes ka refuzuar një ofertë prej 78 milionë euro në vit.
Kjo do të thoshte 6.5 milionë euro në muaj, apo 213.000 euro në ditë, dhe rreth 9.000 euro në orë – një shifër e pabesueshme edhe për standardet e futbollit modern.
Megjithatë, as këto shifra marramendëse nuk mjaftuan që Bruno të pranojë kalimin në Arabinë Saudite. Edhe pse menaxheri i tij Miguel Pinho qëndroi për tri ditë në Rijad javën e kaluar për të negociuar drejtpërdrejt me zyrtarët e Al-Hilal, Fernandes vendosi të qëndrojë në Manchester United.
Ky vendim tregon se jo gjithçka sillet rreth parave, dhe se ende ka futbollistë që duan të mbeten në elitën e futbollit evropian dhe anglez.