Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka folur pas përfundimit të takimit të liderëve të Ballkanit Perëndimor në samitin e Procesit të Brdo-Brione, shkruan Reporteri.net.
Ajo njoftoi se është diskutuar për hapat konkret se si shtetet ballkanike mund ta ndihmojnë njëra-tjetrën.
“Synojmë që të ecim përpara, ka ardhur koha që të shohim hapa konkret nga Bashkimi Evropian sa i përket procesit të anëtarësimit të shteteve demokrate të Ballkanit Perëndimor. Siç e kemi parë në procesin e liberalizimit të vizave, është dëshmuar se kur edhe plotësohen kriteret, përgjigjet e BE-së janë të vonshme”, u shpreh presidentja Osmani.
“Në përgjithësi ka qenë takimi më konstrukitv i Procesit Brdo-Brione që e kemi pasur ndonjëherë. Nuk ka pasur mosdakordim për temat e propozuar në deklaratë, një propozim për të specifikuar rreth përshpejtimit të integrimit të Bashkimit Evropian. Pak a shumë integrimi evropian ishte kryefjala e gjithë këtij takimi dhe synimet që të ecim sa më përpara në këtë proces”, ka thënë Osmani.
Osmani tha se gjatë takimeve bilaterale që ka zhvilluar gjatë ditës së sotme, temë kanë qenë edhe masat e vendosura nga Bashkimi Evropian ndaj Kosovës. Osmani, mes tjerash potencoi se ka kërkuar nga shtetet si Kroacia që të iniciojnë hapat e parë për largimin e këtyre masave.
“Unë i kam diskutuar në takime bilaterale që kisha në radhë të parë me presidentin Pendarovski ku e informova për hapat që Republika e Kosovës ka ndërmarrë për shtensionim të situatës dhe sfidat që po përballemi”, u shpreh Osmani.
“Gjithashtu me presidentin Milanoviq diskutuam mbi të gjitha që BE-ja që t’i largojë masat në raport me Kosovën që nuk janë proporcionale. Presim që shtetet që na kanë përkrahur aq fortë si Kroacia të ndërmarrë hapat e parë për të iniciuar largimin e këtyre masave”, përfundoi Osmani.















