Në një ngjarje solemne të mbajtur sot në kryeqytetin hungarez, është inauguruar një pjesë e veçantë e bibliotekës publike “Ervin Szabó” me emrin e Presidentit Rugova.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, mori pjesë në ceremoninë përurimore ku u bashkua me miq të vjetër të Presidentit Rugova dhe përkrahës të rinj të Kosovës në Hungari.
Në fjalën e saj, ajo theksoi se figura e Rugovës nuk u takon vetëm qytetarëve të Kosovës, por të gjithë atyre që besojnë në fuqinë e së drejtës dhe idealin e lirisë.
“Trashëgimia e Atit themeltar të Republikës, Presidentit historik Dr. Ibrahim Rugova, nuk i përket vetëm Kosovës, por të gjithë atyre që besojnë në fuqinë e së drejtës dhe në idealin e lirisë. Kjo është një shenjë e përhershme kujtese për vizionin e arkitektit të pavarësisë, i cili me përkushtim i udhëhoqi popullin e Kosovës në rrugën drejt lirisë dhe pavarësisë”, u shpreh Osmani.