Osmani: “Defender Europe”, dëshmi se Kosova është e gatshme të qëndrojë krah për krah me SHBA-në dhe NATO-n

Presidentja e Kosovës, njëherit Komandatja Supreme e FSK’së, Vjosa Osmani, ka përcjellur nga afër ushtarët e FSK-së dhe ata amerikanë dhe të kombeve të tjera të cilët po marrin pjesë në ushtrimin “Defender Europe 2025”.

Osmani ka thënë se ky ushtrim është dëshmi se Kosova është e përkushtuar, e aftë dhe e gatshme të qëndrojë krah për krah me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO’n, shkruan Reporteri.net.

“Sot në Babaj të Bokës, në zemër të DEFENDER Europe 2025, ndjeva krenarinë që vetëm ushtria e Kosovës mund ta japë. Si Komandante Supreme, pata nderin t’i falenderoj  dhe përgëzoj forcat tona për rezultatin e arritur, si dhe aleatët tanë të pathyeshëm, sidomos Divizionin e 28-të të Ushtrisë Amerikane, i cili po e drejton këtë ushtrim historik. FSK është krenaria jonë, Aleanca është forca jonë! E ardhmja jonë është euroatlantike!”, ka shkruar Osmani.

Kosova do të jetë nikoqire e ushtrimit më të madh ndërkombëtar të drejtuar nga ushtria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës “Defender Europe 25”, deri më 9 qershor.

Kosova ishte paraparë të ishte nikoqire e këtij ushtrimi edhe në vitin 2023, por që ishte pezulluar pastaj.

Ky ishte ndëshkimi i parë që Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishin ndërmarrë kundër Kosovës për, siç ishte thënë, injorimin e këshillave të tyre për të shmangur rritjen e tensioneve në zonën veriore me shumicë serbe.

Tensionet patën kulmuar më 29 maj, kur protestuesit ishin përleshur me pjesëtarë të misionit paqeruajtës të NATO-s, KFOR, në Zveçan.

Një ditë pas përjashtimit të Kosovës nga “Defender Europe ‘23”, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e kishte cilësuar këtë si një “fatkeqësi”.

“Nuk mendoj se [përjashtimi] është i drejtë, por kush jam unë të vendos”, kishte deklaruar Kurti, duke mbrojtur veprimet e Qeverisë së tij në veri./Repoteri.net

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi