Osmani: Anëtarësimi i Kosovës në INTERPOL i pamundur pa mbështetjen e ShBA-ve

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se mbështetja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ka qenë prezentë në çdo hap të shtetndërtimit të Kosovës. Për këtë, ajo pati edhe falënderime, raporton Ekonomia Online.

Në konferencën e përbashkët me Ndihmëssekretarin për Byronë Ndërkombëtare për Narkotikë dhe Sundim të Ligjit të SHBA, Todd D. Robinson, e para e konsideron si të rëndësishme anëtarësimin e Kosovës në organizatën Ndërkombëtare e Policisë Kriminale INTERPOL.

Duke përmendur sukseset e Kosovës në luftën kundër krimit të organizuar, luftën kundër trafikimit, Osmani vlerësoi se këto janë dëshmi e fuqisë së bashkëpunimit të Kosovës me partnerë të rëndësishëm.

“Mbështetja e ShBA-ve për Kosovën, ka qenë prezentë në çdo sektor strategjik dhe në çdo hap të procesit të shtet ndërtimit. Në këtë drejtim, edhe mbështetja që kemi pranuar nga byroja që udhëheq ndihmës sekretari, shquhet për kohëzgjatjen, për dinamikën si dhe për shumëllojshmërinë e Asistencës, përmes së cilës janë themeluar dhe fuqizuar mekanizmat tanë kryesor për sundimin e ligjit në Kosovë”.

“Në përpjekjet tona të përbashkëta në luftën kundër narkotikëve, në luftën kundër krimit të organizuar, në luftën kundër trafikimit, e njëkohësisht kanë kontribuar edhe në forcimin e kapaciteteve të Kosovës për sundim të ligjit që është prioritet i institucioneve tona. Këto suksese janë dëshmi e fuqisë së bashkëpunimit me partner, janë rezultat i bashkëpunimit tonë me partner rëndësishëm, siç është Byroja”, ka thënë Osmani.

Presidentja Osmani, ka thënë se anëtarësim i Kosovës në INTERPOL do të jetë i pamundur pa mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-ve, sipas saj, të vetmit që përfitojnë nga mosanëtarësimi i Kosovës në INTERPOL, janë kriminelët.

Ajo tha se e ka informuar Robinson-in për synimin strategjik të Kosovës për anëtarësim në INTERPOL.

“Anëtarësim i cili do të jetë i pamundur pa mbështetjen e vazhdueshme të SHBA-ve. Ky anëtarësim do të kontribuonte thellësisht në rritjen e kapaciteteve tona duke përmirësuar përgjigjen tonë Institucionale ndaj krimit dhe duke fuqizuar angazhimin tonë në drejtim të sigurisë publike. Të vetmit që përfitojnë nga mos anëtarësimi i Kosovës në INTERPOL, janë kriminelët, në veçanti grupet kriminale transnacionale. Është dëshirë e Kosovës dhe SHBA-ve që ata t’i luftojmë deri në fund”, ka thënë ajo.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi