Opozita në Izrael bën thirrje për “armëpushim në Gaza” pas njoftimit të Trumpit për armëpushimin Izrael-Iran

– Lideri kryesor i opozitës, Yair Lapid tha: “Tani është radha e Gazës. Është koha për të përfunduar gjërat edhe këtu, për të sjellë të burgosurit (izraelitë), për t’i dhënë fund luftës”

Pas armëpushimit midis Izraelit dhe Iranit, të shpallur nga Presidenti i SHBA-së, Donald Trump dhe të miratuar nga Tel Avivi, kanë ardhur edhe “thirrjet për armëpushim në Gaza”, transmeton Anadolu.

Yair Lapid, kreu i partisë kryesore opozitare “E ardhmja është këtu” (Yesh Atid), në llogarinë e tij në rrjetet sociale lidhur me armëpushimin midis Izraelit dhe Iranit të shpallur nga Trump tha: “Tani është radha e Gazës. Është koha për të përfunduar gjërat edhe këtu, për të sjellë të burgosurit (izraelitë), për t’i dhënë fund luftës. Izraeli duhet të fillojë rindërtimin”.

Ndërkohë, në një deklaratë të bërë në platformën e familjeve të të burgosurve izraelitë në Rripin e Gazës, u theksua se armëpushimi i shpallur nga Trump midis Izraelit dhe Iranit “duhet të përfshijë edhe Gazën”.

“Kushdo që mund të bëjë një armëpushim me Iranin mund ta ndalë edhe luftën në Gaza. Pasi humbi gjumin për 12 netë për shkak të Iranit, populli izraelit do të fillojë përsëri të mbetet pa gjumë për të burgosurit në Gaza”, thuhet në deklaratë.

Duke theksuar se sulmet e Izraelit ndaj Iranit kanë “mbaruar”, familjet e të burgosurve izraelitë në Gaza kanë deklaruar se sulmet ndaj Gazës, të cilat kanë vazhduar për 627 ditë, tani duhet të marrin fund.

Lidhur me armëpushimin midis Izraelit dhe Iranit, të cilin e shpalli natën, Trump tha në mediat sociale në mëngjes: “Armëpushimi është në fuqi, ju lutem mos e shkelni atë”.

Një katastrofë e madhe humanitare po përjetohet në Gaza, ku ushtria izraelite ka sulmuar që nga 7 tetori 2023, si pasojë e bombardimeve intensive, urisë, zhvendosjes së detyruar dhe shkatërrimit të infrastrukturës.

Ndërsa Izraeli është në gjyq në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë me akuzat për “gjenocid” për sulmet e tij në Gaza, Gjykata Ndërkombëtare Penale ka lëshuar urdhër-arreste për kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e Mbrojtjes, Yaov Gallant me akuzat për “krime lufte dhe krime kundër njerëzimit”.

Krahu i armatosur i Hamasit, Brigadat Izz ad-Din Qassam, mban rreth 50 të burgosur në Gaza, 20 prej të cilëve mendohet të jenë të vdekur, sipas vlerësimeve izraelite.

Kategoritë
BotaLajme