Opozita izraelite pas marrëveshjes me Iranin kërkon paqe në Gaza: Është koha që lufta të përfundojë

Lideri i opozitës Yair Lapid dhe kryetari i partisë Demokratët, Yair Golan, kanë bërë thirrje për përfundimin e luftimeve në Gaza, pas shpalljes nga presidenti amerikan Donald Trump se është arritur një marrëveshje armëpushimi ndërmjet Izraelit dhe Iranit.

“Dhe tani Gaza. Është koha që edhe atje të përfundojë. T’i kthejmë pengjet, ta përfundojmë luftën. Izraeli duhet të fillojë rindërtimin,” thuhet në deklaratën e Lapidit.

Ai shtoi se “fushata kundër Iranit përfundoi me një sukses të qartë në aspektin e sigurisë – sukses që nuk do të ishte i mundur pa qenë Izraeli një shtet demokratik, i fortë dhe i bashkuar.”

Yair Golan, në një postim në rrjetin social X, theksoi se duhet të analizohet me kujdes marrëveshja për armëpushim:
“A e ndalon ajo Iranin nga armatimi bërthamor dhe cilat sanksione – përfshirë rikthimin e luftimeve – do të zbatohen nëse ajo shkelet?”

Në përfundim, ai bëri thirrje për përmbylljen e të gjithë misionit:

“T’i kthejmë të gjithë pengjet, ta përfundojmë luftën në Gaza dhe ta ndalim njëherë e përgjithmonë grushtin e shtetit që kërcënon ta bëjë Izraelin të dobët, të përçarë dhe të cenueshëm.”

Kategoritë
BotaLajme