Komisioni i OKB-së për të Drejtat e Njeriut (OHCHR) ka ngritur alarmin për një përshkallëzim të politikave izraelite të zhvendosjes së detyruar të palestinezëve në territoret e pushtuara, përfshirë Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor.
Sipas zyrës së OKB-së për të drejtat e njeriut në territoret e pushtuara palestineze, autoritetet izraelite kanë përshpejtuar masat e zhvendosjes masive të banorëve palestinezë, me një fokus të veçantë në rajonin e Masafer Yatta, në jug të Hebronit.
Ushtria izraelite si justifikim për dëbimin
OHCHR thekson se autoritetet izraelite po përdorin direktiva nga Administrata Civile izraelite për të refuzuar çdo leje ndërtimi apo zhvillimi urban për palestinezët, duke argumentuar se zona nevojitet për stërvitje ushtarake.
“Në muajt e fundit, Izraeli ka rritur ndjeshëm shembjet e shtëpive, arrestimet arbitrare, keqtrajtimin e palestinezëve dhe aktivistëve të të drejtave të njeriut,” – thuhet në deklaratë.
Në të njëjtën kohë, kolonët izraelitë, të vendosur në vendbanime të paligjshme përkrah komuniteteve palestineze, s’janë prekur nga dëbimi, por përkundrazi, po kryejnë sulme të përditshme dhe frikësime ndaj palestinezëve – përfshirë gra, fëmijë dhe të moshuar – për t’i detyruar të largohen.
1.200 palestinezë të rrezikuar – mundësi për krime lufte
Sipas OHCHR, deri në 1.200 palestinezë janë në rrezik të zhvendosjes së detyruar, e cila në kontekstin e okupimit përbën krim lufte sipas të drejtës ndërkombëtare dhe potencialisht krim kundër njerëzimit.
Kjo vjen në një kohë kur në Rripin e Gazës, OKB dhe shumë organizata ndërkombëtare po flasin për një situatë që i afrohet gjenocidit, ndërsa në Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor zhvillohet paralelisht një proces sistematik i spastrimit etnik.