Oda e Prizrenit, , ka njoftuar se pas reagimeve për situatën me arkat fiskale, ka pranuar një sqarim zyrtar nga kompania e autorizuar Enternet Sh.P.K. Në ditët në vijim pritet edhe një takim me përfaqësues të Ministrisë së Financave për të diskutuar situatën.
Në një letër publike, kompania Enternet ka bërë të ditur se ndërprerja e shërbimeve dhe mbyllja e pikave të shitjes është rezultat i një vendimi të njëanshëm të Ministrisë së Financave dhe ATK-së, me të cilin ndalohet shitja dhe mirëmbajtja e arkave fiskale nga operatorët aktualë.
“Ky udhëzim administrativ ka sjellë rënie deri në 80% të të hyrave dhe na ka detyruar të largojmë mbi 80% të stafit,” thuhet në sqarimin e kompanisë, e cila thekson se vendimi është marrë në kohën kur atyre u është vazhduar licenca e operimit deri në vitin 2028.
Enternet paralajmëron se vendimi ka krijuar kaos në sektorin e bizneseve që përdorin arka fiskale, për shkak të mungesës së një zgjidhjeje alternative dhe mosfunksionimit të ndonjë sistemi të ri raportimi në ATK. Sipas tyre, kjo situatë mund të çojë në evazion fiskal dhe rënie të të hyrave shtetërore.

Pavarësisht vështirësive, kompania njofton se vazhdon të ofrojë ndihmë përmes pikës së vetme në Pejë dhe se mbetet e gatshme për bashkëpunim me institucionet për të gjetur një zgjidhje në dobi të bizneseve dhe sistemit fiskal në vend.
Njoftim për bizneset dhe publikun!
Kompania Enternet Sh.P.K, duke marr shkas nga raportimet e fundit në mediat në Kosovë, ndjen të nevojshme dërgimin e kësaj letre sqaruese për gjithë publikun dhe bizneset që operojnë në vend, me qëllim të eliminimit të keqkuptimeve dhe keq interpretimeve sa i përket pyetjeve se pse janë mbyllur pikat e shitjes dhe servisimit të arkave fiskale?
Enternet Sh.P.K sqaron publikun dhe bizneset, se me hyrjen në fuqi të Udhëzimit të ri Administrativ të Ministrisë së Financave dhe ATK-së, neve si operatorë na është ndaluar shitja e arkave fiskale dhe ofrimi i shërbimeve për këtë sektor!
Ky Udhëzim Administrativ ka shkaktuar rënien e të hyrave të kompanisë tonë, por edhe kompanive të tjera të licencuara deri në 80 për qind! I njëjti vendim, është marrë në kohën kur neve si kompani, na është vazhduar licenca e operimit deri në vitin 2028 dhe për të kaluar në këtë procedurë jemi detyruar të përmbushim shumë kërkesa dhe shpenzime, deri të rritja e stoqeve dhe programeve të reja që kapin vlerën prej 2.5 milionë euro.
Me këto shpenzime që jemi obliguar t’i kemi dhe me ndërprerjen e punës pa parlajmërim dhe pa sqarime dhe kohë të nevojshme, ne kemi pësuar humbje të madhe financiare, praktikisht jemi kthyer në pikën zero. Dhe jo vetëm ne, por edhe bizneset, të cilat sot përballen me pengesa operimi me arka fiskale për shkak të këtij vendimi dhe në të njëjtën kohë, nuk është funksionalizuar asnjë sistem i ri dhe nuk ka asnjë informacion se si do të raportojnë bizneset në ATK për të hyrat e tyre.
Kjo situatë do të ketë pasoja zinxhirore, jo vetëm për ne, por deri në të hyrat e shtetit. Për fat të keq ne jemi të detyruar që pa deshirën tonë të marrim vendimin e largimit nga puna të mbi 80% të punëtorëve. Në anën tjetër është e habitshme se si është marrë ky vendim i cili tash më po e rrezikon shkatërrimin e një sistemi të ndërtuar me shumë kujdes, angazhim e mund nga shume njerëz (ekspertë vendor e të huaj). Sistemi i fiskalizimit është përcjellur edhe me investime të mëdha nëpër faza të ndryshme te zhvillimit e deri në ditët e sotme, ku janë investuar disa miliona euro! Rrjedhimisht mund të vijmë në përfundim se ky vendim përveq konfuzionit të krijuar te bizneset kosovare, tash më e ka hapur mundesinë edhe krijimit të një evazioni fiskal I cili automatikisht reflekton me rënien e të hyrave të buxhetit të shtetit.
Pra, Enternet ështëe detyruar që të I mbyllë pikat e shitjes për shkak se na është ndaluar puna, na është ndaluar shitja e arkave fiskale dhe ofrimi i shërbimeve nga vendimi i njëanshëm i Ministrisë së Financave.
Megjithatë, për t’iu shërbyer bizneseve edhe në këtë kohë, përkundër shkurtimit të stafit dhe rënies totale të të hyrave, ne dhe operatorët si ne po operojmë në pikën e vetme të shitjes në Pejë dhe në cdo rast jemi munduar dhe po angazhohemi që t’u dalim në ndihmë cdo biznesi që ka nevojë për shërbimet tona.
Ju kujtojmë që për këto 15 vite punë, edhe me ligjet në fuqi ne kemi qenë të obliguar ta kemi vetëm një pikë. Por, duke e ditur rëndësinë e kësaj fushe në stabilitetin financiar të shtetit, dhe për të qenë pranë sa më shumë bizneseve, deri tani ne kemi funksionuar vullnetarisht në 7 qendrat kryesore të Kosovës në kapacitete të plota.
Por sot, kjo nuk mund të ndodhë, sepse na ështe ndaluar puna nga vendimi ne fjale!
Ju sqarojmë që prej kohësh, ne kemi njoftuar të gjitha istitucionet përgjegjëse që të ndërmerren masat me kohë për këtë moment, por asnjëherë në asnjë rast kërkesat tona nuk janë marr parasysh, ani pse të njëjtat kanë qenë vetëm në favor të bizneseve të cilat kanë operuar suksesshëm me mbi 56 mijë arka fiskale në gjithë këto vite, deri tani!
Për më tepër, Ministria e Financave përmes ATK-së na ka bërë presion që të zbatojmë sa më parë sistemin e ri të arkave për taksitë. Ne kemi investuar shumë mjete financiare për implementimin e këtij sistemi, kemi bërë porosi të mëdha për pajisje, përsëri sipas kërkesave të ATK-së. Por sapo kemi nisur shitjen, me një vendim të ri nga Udhëzimi Administrativ, jemi ndaluar papritmas dhe tani kemi stok milionësh të pajisjeve në depot tona, të cilat nuk mund t’i qarkullojmë.
Ne kemi qenë dhe mbetemi të hapur për bashkëpunim, dhe ftojmë ATK-në dhe institucionet përkatëse që të ulemi bashkë për të gjetur një zgjidhje të përbashkët, në interes të bizneseve, qytetarëve dhe vetë shtetit.
Faleminderit për mirëkuptimin dhe mbështetjen tuaj!