OBSH: Rafah mund të mbetet edhe pa spitalin e fundit nëse vazhdojnë sulmet izraelite

Spitali i vetëm i mbetur në Rafah mund të mos funksionojë më, nëse Izraeli e “pushton plotësisht” qytetin jugor të Rripit të Gazë, tha të martën një zyrtar i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).

“Nëse pushtimi do të vazhdojë, ne do ta humbim edhe spitalin e fundit në Rafah”, tha Richard Peeperkorn, përfaqësues i OBSH-së për Gazën dhe Bregun Perëndimor.

Duke folur në margjinat e Asamblesë së OBSH-së në Gjenevë, Peeperkorn tha se mund të ketë edhe shumë të vrarë në Rafah, pas raportimeve se tanket izraelite janë futur në qendër të qytetit.

Izraeli e nisi ofensivën në Rafah para tri javëve dhe tani po përballet me kritika të mëdha ndërkombëtare, pasi një sulm ajror të dielën shkaktoi zjarr në një kamp tendash në pjesën perëndimore të Rafahut, duke i vrarë së paku 45 njerëz.

Izraeli e nisi luftën në Gazë si përgjigje ndaj një sulmi të Hamasit në jug të Izraelit më 7 tetor, ku u vranë 1.200 njerëz, kryesisht civilë, dhe u rrëmbyen rreth 250 të tjerë.

Lufta izraelite i ka vrarë më shumë se 36.000 palestinezë, gjysma e të cilëve fëmijë dhe gra, sipas zyrtarëve shëndetësorë palestinezë.

Por, lufta izraelite ka shkaktuar edhe krizë humanitare në Gazë, duke bërë që rreth 80 për qind e popullsisë të zhvendoset dhe qindra mijëra njerëz të vuajnë nga uria, sipas zyrtarëve të OKB-së.

Kategoritë
BotaLajme