Nuk ka konstituim të Kuvendit të Kosovës, as pas përpjekjes së 35-të

Nga 94 deputetët e pranishëm në sallë, vetëm 51 vota ishin pro formimit të këtij komisioni për votimin e fshehtë të kryeparlamentarit, një kundër ndërsa abstenime nuk pati.

Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të konstituohet as pas përpjekjes së 35-të me radhë për shkak të mungesës së votave të mjaftueshme për votimin e kryeparlamentarit institucioni legjislativ.

Kryesuesi i seancës, ashtu sikurse nga 1 maji, propozoi krijimin e komisionit ad-hoc për votimin e fshehtë të pozitës së kryeparlamentarit, por të gjitha grupet parlamentare, përpos Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), nuk e mbështetën krijimin e tij, duke mos propozuar anëtarin e tyre për këtë komision.

Nga 94 deputetët e pranishëm në sallë, vetëm 51 vota ishin pro formimit të këtij komisioni për votimin e fshehtë të kryeparlamentarit, një kundër ndërsa abstenime nuk pati.

“Nuk kemi kuorum, ndërpritet seanca, më 23 qershor në orën 11:00”, tha kryesuesi i Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari.

Nga partia e dytë më e madhe në Kuvend, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), thanë se edhe njëherë u demonstrua që për LVV- në, pushteti është më i rëndësishëm se shteti.

Nga opozita vazhdimisht kanë kërkuar që LVV ta ndërrojë kandidatin për kryeparlamentar, por nga deklarimet e tij mediatike deri më tani, kryeministri në detyrë dhe kryetari i LVV-së, Albin Kurti, ka thënë se nuk bëhet fjalë për ndryshim të kandidates Albulena Haxhiu, duke fajësuar opozitën për bllokim të konstituimit të Kuvendit.

Nga 61 vota të nevojshme, kandidatja e LVV-së, Haxhiu, deri më tani ka marrë jo më shumë se 57 vota për kryetare të Kuvendit të Kosovës, të cilat 48 janë nga LVV dhe 9 nga deputetët që vijnë nga komunitetet. Për herë të parë seanca konstituive u mbajt më 15 prill.

Më 15 maj, liderët e katër partive politike shqiptare parlamentare zhvilluan takim konsultativ me presidenten Vjosa Osmani, me qëllim të zhbllokimit dhe formimit sa më të shpejtë të institucioneve të reja të dala nga zgjedhjet e 9 shkurtit të vitit 2025. Takime të tilla u paralajmëruan nga presidentja Osmani edhe për javët në vijim, por nuk u mbajtën.

Por në fillim të qershorit në konsultimet e presidentes Osmani me përfaqësuesit e partive politike për zgjedhjet lokale, ata u dakorduan që zgjedhjet lokale të rregullta të mbahen në tetor të këtij viti. Nga LVV-ja u fol edhe për mundësinë që bashkë me këto zgjedhje të mbahen edhe zgjedhjet e përgjithshme të jashtëzakonshme.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi