Më shumë se 100 mijë tifozë dolën të hënën në rrugët e kryeqytetit norvegjez, Oslo, për ta pritur në mënyrë madhështore kombëtaren e tyre të futbollit.
Erling Haaland dhe bashkëlojtarët e tij u eliminuan të shtunën nga Kupa e Botës, pasi humbën 2:1 pas vazhdimeve ndaj Anglisë, por më herët kishin arritur diçka historike duke u kualifikuar në çerekfinale.
Që të hënën pasdite, turma të mëdha u mblodhën para Pallatit Mbretëror. Sipas vlerësimeve jozyrtare, numri i të pranishmëve kalonte 100 mijë.
Kombëtarja fillimisht u prit në audiencë nga mbreti Harald, ndërsa më pas, e shoqëruar nga Garda Mbretërore, doli para tifozëve të entuziazmuar.
Megjithatë, Haaland, i cili realizoi shtatë gola në Kupën e Botës, nuk mori pjesë në pjesën përmbyllëse të festës, pasi u largua më herët.
Futbollisti 25-vjeçar mungoi në “përshëndetjen e fundit vikinge me vozitje”, të cilën bashkëlojtarët e tij e realizuan në shkallët e pallatit para dhjetëra mijëra tifozëve.
Aktivitetin e udhëhoqi princi i kurorës, Haakon Magnus, i cili mbante ritmin me daulle.
Më pas, festa vazhdoi me një paradë nëpër Oslo me një autobus të hapur.




















