Të paktën një person ka humbur jetën dhe disa të tjerë janë plagosur në një incident të rëndë në qytetin gjerman Mannheim, ku një makinë u përplas me shpejtësi të madhe në një grup këmbësorësh, njoftoi policia lokale.
Incidenti ndodhi sot rreth orës 12:15 në Paradeplatz, sheshi qendror i Mannheim-it. Sipas informacioneve nga policia, shoferi i dyshuar është arrestuar, por ende nuk dihet motivi i sulmit.
Forcat e sigurisë janë vendosur në numër të madh në qendër të qytetit, ndërsa zona përreth vendit të ngjarjes është bllokuar. Është angazhuar gjithashtu një helikopter, ndërsa policia e armatosur rëndë ka siguruar një perimetër të gjerë sigurie.
Qeveria federale gjermane ka lëshuar një paralajmërim për një “rrezik ekstrem” dhe u ka bërë thirrje qytetarëve të shmangin qendrën e Mannheim-it. Policia nuk e ka përjashtuar mundësinë e një kërcënimi të mëtejshëm dhe u ka kërkuar banorëve të qëndrojnë brenda ambienteve të mbyllura.
Mikla Cela, një punonjës restoranti në qendër të qytetit, tha për CNN se kishte parë një makinë të zezë duke kaluar me shpejtësi të madhe në rrugë dhe më pas kishte dëgjuar britma njerëzish. Një dëshmitar tjetër, pronari i një dyqani lulesh, Ferry Overdevest, tha se rreth 30 persona u strehuan në dyqanin e tij pas incidentit, ndërsa ambulancat mbërrinin në vendngjarje.
Sipas raporteve të disponueshme, automjeti po lëvizte nga drejtimi i Friedrichsringa drejt zonës së këmbësorëve Planken, ku po zhvillohej një karnaval tradicional.
Autoritetet kanë ndërmarrë masa emergjente, ndërsa Klinika Universitare e Mannheim-it është përgatitur për të pritur një numër të madh të plagosurish. Është aktivizuar një plan emergjence katastrofike, janë vendosur tetë ekipe traume dhe janë zgjeruar kapacitetet e sallave të operacionit dhe repartit të kujdesit intensiv.
Gjermania ka qenë e goditur nga një seri sulmesh të ngjashme në muajt e fundit. Në dhjetor, gjashtë persona humbën jetën kur një automjet u përplas në një treg Krishtlindjesh në Magdeburg, ndërsa në shkurt, në Mynih, një shofer Mini Cooper-i vrau një nënë dhe një fëmijë gjatë një proteste, duke plagosur mbi 30 persona.
Hetimet në Mannheim janë në vazhdim, ndërsa motivet e sulmit mbeten ende të panjohura. Policia vazhdon t’u bëjë thirrje qytetarëve që të shmangin qendrën e qytetit derisa situata të stabilizohet.