Një grua braziliane (69) mendoi se ishte në një lidhje me Elon Musk, mori dy kredi për t’i dërguar para

Një grua braziliane (69) mendoi se ishte në një lidhje me Elon Musk, mori dy kredi për t’i dërguar para

Policia braziliane regjistroi një rast të pazakontë ku një mashtrues u prezantua rrejshëm si Elon Musk dhe bindi një grua të moshuar se ishin të dashuruar, ndërkohë që bëhej fjalë për një mashtrim me vlerë mbi 26,000 dollarë.

Bëhet fjalë për një grua 69-vjeçare nga qyteti Formoza në Brazil. Ajo e njohu mashtruesin përmes Facebook-ut dhe i dha numrin e saj të telefonit për të vazhduar komunikimin në aplikacionin Telegram.

Ata kaluan orë të tëra duke shkëmbyer mesazhe për një periudhë tre mujore.

Gruaja nuk dyshoi asgjë dhe madje e ruajti numrin e tij me pseudonimin “Dashuria ime Elon”.

Sipas shefit të policisë së Goias, José Sena, i cili foli për gazetën braziliane G1, mashtruesi filloi t’i kërkonte gruas të bënte pagesa, duke i premtuar dërgimin e dhuratave që nuk mbërritën kurrë.

Madje, ai kërkoi para për “karburant” për avionin e tij të supozuar.

Fillimisht, gruaja bëri dy transferta parash, përkatësisht 172 dhe 517 dollarë. Më pas, mashtruesi e bindi të merrte dy kredi, një prej 10,696 dollarësh dhe tjetrën prej 15,865 dollarësh, të cilat i transferoi në disa llogari bankare të hapura me emra të rremë.

Mashtrimin e zbuluan fëmijët e saj pasi panë mesazhe ku flitej për planet që nëna e tyre të shiste shtëpinë për 86,000 dollarë.

Mashtruesi i kishte thënë se zotëronte një “platformë serioze investimesh” dhe i premtoi se do t’i kthente paratë.

Shefi brazilian i policisë beson se mashtrimi mund të jetë kryer nga një organizatë kriminale dhe se mund të ketë edhe viktima të tjera të kësaj skeme mashtrimi.

Kategoritë
BotaLajme
Reklamë: ABE Kosova