Albinot Maloku
Sot Kosova ndodhet përballë një krize politike dhe institucionale, e cila nuk është thjesht çështje aritmetike parlamentare, por një degradimi i përgjegjësisë politike, komunikimit racional dhe respektit për demokracinë. Katër muaj pas zgjedhjeve të 9 shkurtit 2025, vendi është ende pa institucione funksionale, një situatë që jo vetëm do ti kushtojë rëndë Kosovës e nevojave të saj, mirëpo edhe faktit që qytetarët të humbasin gjithnjë e më shumë besimin te institucionet e vendit. Në vend të një reflektimi institucional pas zgjedhjeve, klasa politike është zhytur në një diskurs manipulativ, ku fjalët janë shndërruar në monedhë të pavlerë dhe qëndrimet politike në mjet për të fshehur mungesën e vullnetit për kompromis. Ky më nuk është thjesht një bllokim qeverisës, por një krizë e mendimit politik që godet vetë themelet e demokracisë në Kosovë. Mosrespektimi i vullnetit të qytetarëve, të shprehur qartë me votë, është shenjë e një sistemi në rënie të lirë — me pasoja afatgjata për besimin qytetar dhe për aspiratat integruese të vendit, e posaqërisht kur bëhet fjalë për sigurinë e serioziteti që reflekton Republika e Kosovës karrshi aleatëve ndërkombëtar!
Subjketi i parë pas zgjedhjeve të 9 shkurtit të vitit rrjedhës, pra, Lëvizja Vetëvendosje me 48 deputetët e saj, është në pozitën e privilegjuar për të udhëhequr formimin e institucioneve, por njëherazi edhe në pozitë të plotë përgjegjësie për moskrijimin e tyre. Argumenti se të qenurit “i pari” në zgjedhje mjafton për të komanduar institucionet nuk qëndron në praktikën parlamentare të Kosovës, ku çdo funksion kërkon votim, jo emërim automatik. Dalja nga kriza kërkon një rikthim te racionaliteti politik dhe një reflektim mbi kufijtë e durimit qytetar.
Zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 nuk prodhuan vetëm një forcë drejtuese politike për vendin, pra një parti të vetme për të udhëhequrë me pozitat drejtuese si kreu i Kuvendit e kreu i Qeverisë, siç kishte ndodhur me 14 shkurt 2021; ato nxorrën në jetë një detyrim për koalicion dhe bashkëqeverisje. Lëvizja Vetëvendosje me 48 deputetët e saj, ka arritur ta izolojë çdo mundësi të bashkëpunimit me partitë tjera, duke u fokusuar te shpresa e forcimit të pozitës së saj, pa provuar sinqerisht një marrëveshje koalicioni me subjekte të tjera politike, që e konsiderojnë të mirëqënë bashkëpunimin me të!
Pse është e pamundur të pranohet fakti që me 48 votat, – edhe pse i pari pas zgjedhjeve, – nuk mund ta ketë kreun e legjislaturës së nëntë të Kosovës pa pasur një rrugë të përbashkët me dikë që ka ofruar bashkëpunimin në këmbim të marrëveshjes politike? Është Nisma Socialdemokrate, e cila ka shprehur gadishmëri bashkëpunimi! Mosgadishmëria për marrëveshje politike reale e në letër me te, tregon një përqafim të logjikës së diktatit. Imponimi për të kërkuar votën për propozimin e të parit pas procesit zgjedhor për kreun e Kuvendit, – që ia lejon rendi kushtetues në vend, si e drejtë – por pa marrëveshje e dhënë asgjë, vetëm duke kërkuar çdo gjë për vete, nuk shkon kjo! Në këtë situatë, ka një mundësi, e kjo mundësi është pasja e vullnetit për të nxjerrë vendin nga ky ngërç, e për ta bërë këtë detyrim e ka Lëvizja Vetëvendosje, jo subjektet tjera politike që nuk duan as bashkëpunim as partneritet me te. Manipulimi, kokëfortësia dhe egoizmi politik nuk i përkasin të politikshmës.
Por, ndërsa Kosova merret me krizat e brendshme politike, dialogu me Serbinë vazhdon të jetë një çështje prioritare, për të cilën, shumica e qytetarëve ndihen të lodhur dhe të zhgënjyer. Edhe pse shumë e shohin dialogun si një shterues të energjisë politike dhe diplomatike të vendit, ky është një angazhim që, për fat të keq, është i domosdoshëm për rrugën e Kosovës drejt integrimit në Bashkimin Evropian. Për këtë situatë që i ka lidhur këmbët e Kosovës me të Serbisë për të ecur përpara drejtë këtyre integrimeve evropiane, përgjegjësi ka ish-Qeveria e cila në 2023 i tha “Po” të ashtu njohures Marrëveshja e Brukselit dhe Aneksi i Ohrit.
Përfundimisht, Kosova nuk ka nevojë për liderë egoist, imponues e manipulues por për të atillë që kanë aftësinë dhe guximin për të marrë vendime të bazuara në interesat afatgjata të shtetit dhe të qytetarëve. Nëse vazhdojmë të përballemi edhe pas 27 tentimeve për të konstituuar Kuvendin e zgjedhur Qeverinë e re çdo 48 orë, dhe të mbajmë politikën e manipulimit, rënia do të jetë edhe më e shpejtë dhe më e dhimbshme sesa mund ta mendojmë. Dialogu, kompromisi dhe respekti për vullnetin e qytetarëve, është rruga që të ndalë gjendjën e krizës dhe të ndihmojë në forcimin e demokracisë dhe shtetit. Pavarësisht se është një rrugë e vështirë, ky është hapi i vetëm që mund të çojë vendin drejtë fuqizimit e ruajtjes së demokracisë dhe maturimit politik.