Nga Gërmadhat në Fushën e Gjelbër: Udhëtimi i Palestinës drejt Kupës së Botës

Në një kohë që paqja duket ende larg, një vend i shkatërruar nga lufta si Palestina sheh një fije drite dhe shprese te futbolli.

Përtej çdo imagjinate, kombëtarja palestineze ëndërron të jetë një nga finalistet e Botërorit 2026 që do të zhvillohet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada dhe Meksikë.

Kjo do të ishte një arritje historike, por më parë duhet të fitojë ndeshjen kundër Oman në eliminatoret e zonës Aziatike, në program mbrëmjen e sotme në stadiumin “Mbreti Abdullah II” në Jordani.

Në rast suksesi, kjo kombëtare e përbërë nga lojtarë, më së shumti me origjinë palestineze të lindur në vende të ndryshme të botës, do të kualifikohej në raundin e katërt kualifikues.

Më pas në fazën e play-off do të luante për kualifikimin direkt.

Një sipërmarrje e madhe sportive dhe mbi të gjitha e mbushur me histori njerëzore, për një vend të kthyer në rrënoja, ku jetohet mes frikës së luftës dhe viktimave të përditshme.

Të gjitha këto janë kthyer në një dozë eksta krenarie për futbollistët, siç tha edhe Oday Dabbagh në konferencën për mediat, përcjell abcnews.

Ai luan me Aberdeen në Skoci dhe është shënuesi më i mirë në historinë e Palestinës me 16 gola.

Kombëtarja palestineze mban vendin e 101 në klasifikimin e përgjithshëm të FIFA, ndërsa vjen në këtë sfidë, si një takim me historinë pas fitoreve në dy ndeshjet e fundit kundër Irakut dhe Kuvajtit.

 

Kategoritë
Sport