Që kur pushtimi i Ukrainës e shtyu Finlandën t’i bashkohet NATO-s para dy vitesh, tensionet që rikujtojnë Luftën e Ftohtë janë rikthyer përgjatë kufirit të saj pyjor 1.340 kilometra të gjatë – kufiri më i gjatë tokësor që ka ndonjë vend evropian me Rusinë.
Shteti nordik është duke forcuar kapacitetet e rezervistëve dhe do të presë një komandë të re të NATO-s, anëtarët e së cilës do të takohen në Hagë më 24 qershor për samitin vjetor, raporton Reuters.
Një gardh i madh me tela me gjemba, ende në ndërtim e sipër, tashmë dominon një pjesë të dikurshme të ngarkuar të kufirit që Finlanda e mbylli, duke akuzuar Rusinë për plane për të zgjeruar agresionin edhe në territorin finlandez. Qendrat tregtare dhe restorantet dikur të mbushura me vizitorë rusë tani janë të zbrazëta.
Nga ana tjetër, Rusia ka nisur ngadalë të ringjallë bazat ushtarake të epokës sovjetike, siç shihet në pamjet satelitore. Sulmi i Ukrainës më 1 qershor ndaj flotës së bombarduesve strategjikë rusë – përfshirë edhe aeroportin Olenja pranë kufirit verior të Finlandës – e ka afruar luftën në Ukrainë edhe më shumë me këtë vend nordik.
Në një poligon pranë qytetit Lappeenranta, rreth 160 km nga Shën Petersburgu, rezervistët po stërviten me dronë, përfshirë dronin vëzhgues Parrot Anafi, që përdoret edhe nga ushtritë profesionale të disa vendeve anëtare të NATO-s, përfshirë Finlandën.
Popullsia finlandeze i krahason zhvillimet e tanishme me përpjekjet sovjetike për pushtimin e vendit gjatë Luftës së Dytë Botërore, kur Finlanda u detyrua t’i dorëzojë Rusisë rreth 10% të territorit të saj.
Të dyja palët thonë se nuk përbëjnë kërcënim për njëra-tjetrën.
Presidenti finlandez Alexander Stubb tha se një shkallë e caktuar e përqendrimit ushtarak rus është një reagim i pritshëm ndaj anëtarësimit të Finlandës në NATO – veprim që më shumë se dyfishoi gjatësinë e kufirit të Rusisë me aleancën.
Megjithatë, një raport i qeverisë finlandeze për mbrojtjen nga fundi i vitit 2023 paralajmëronte për një “rrezik të shtuar të një konflikti të armatosur”, duke përmendur zhvillimin e kapaciteteve ushtarake ruse dhe ambicien e Moskës për të krijuar një “zonë tampon” nga Arktiku deri në Evropën jugore.
Në këtë kontekst, Finlanda ka shpallur plane për të ruajtur mina tokësore, ka ndaluar përdorimin e dronëve për qytetarët finlandezë dhe rusë, ka ndaluar blerjen e pasurive të paluajtshme nga rusët dhe ka paralajmëruar këtë javë për ndërprerje të sinjaleve celulare në rajonet pranë kufirit me Rusinë.
“Finlanda është përgjegjëse për më shumë se gjysmën e gjithë kufirit tokësor ndërmjet NATO-s dhe Rusisë,” shkroi ministrja e jashtme Elina Valtonen në rrjetin X të enjten, duke theksuar se qëndrimi i vendit është të sigurojë që ky kufi të mbetet “i paprekshëm”.
Ndërkohë, presidenti rus Vladimir Putin mohoi të mërkurën çdo plan për të sulmuar NATO-n dhe deklaroi se nuk e sheh riarmatimin e NATO-s si një kërcënim. Pas anëtarësimit të Finlandës në aleancë, Moska ka njoftuar plane për forcimin e kapaciteteve ushtarake në pjesën perëndimore dhe veriperëndimore të vendit.