Irani do ta pranonte ofertën e presidentit amerikan Donald Trump për një takim të afërt, raportoi New York Times, duke cituar një zyrtar të lartë iranian.
Sipas gazetës, ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi do të ishte i gatshëm të merrte pjesë në një takim të tillë me qëllim që të bisedohet për një armëpushim me Izraelin.
Trump, i cili më herët kishte shprehur dëshirën që bisedimet të fokusohen në programin bërthamor iranian, deklaroi të hënën se mund të dërgojë përfaqësuesin e posaçëm për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, ose zëvendëspresidentin amerikan JD Vance për t’u takuar me zyrtarë iranianë.
Sipas mediave amerikane, Witkoff ka qenë tashmë në kontakt me Araghchin për të hapur rrugën për rifillimin e negociatave ndërmjet SHBA-së dhe Iranit.
Megjithatë, zyrtarët iranianë kanë mohuar deklaratat e Trump-it se ata kanë kërkuar takim në Shtëpinë e Bardhë, duke theksuar se “nuk do të dorëzohen” dhe “nuk do të lypin me përulësi në dyert” e presidencës amerikane.
Në anën tjetër, ministri i Jashtëm izraelit Gideon Saar u tha gazetarëve se “nuk do të ketë negociata” me Iranin dhe se fushata ushtarake izraelite “do të vazhdojë derisa t’i arrijmë qëllimet tona.”