Netanyahu pranon gjithçka: Izraeli po armatos klane që përhapin kaos në Gaza – ai nuk e kupton “çfarë ka të keqe” në këtë

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka konfirmuar se Izraeli po armatos klane në Gaza që, sipas tij, janë kundërshtare të Hamasit.

Deklarata e tij vjen pas raporteve të mediave izraelite, të cilat, duke cituar burime të sigurisë, zbuluan se Netanyahu kishte miratuar dërgimin e armëve për një grup të caktuar në jug të Gazës.

Disa politikanë izraelitë e kanë akuzuar Netanyahun se po rrezikon sigurinë kombëtare të Izraelit.

“Çfarë ka të keqe në këtë?”, pyet Netanyahu në një video të shkurtër të publikuar në platformën X. “Kjo vetëm sa shpëton jetën e ushtarëve izraelitë. Zbulimi i kësaj i ndihmon vetëm Hamasit,” shtoi ai.

Bëhet fjalë për miratimin që, sipas raportimeve, Netanyahu i ka dhënë furnizimit me armë të një klani në Gaza të udhëhequr nga Yasser Abu Shabab – një grup që disa e quajnë milici, ndërsa të tjerë “bandë kriminale”. Ata pretendojnë se mbrojnë konvojet humanitare, por kritikët thonë se në fakt i grabisin ato.

Pavarësisht përpjekjeve të Netanyahut për të minimizuar rëndësinë e këtij zbulimi, situata ka potencialin të kthehet në një skandal të madh politik.

Burime të sigurisë izraelite kanë konfirmuar për media vendore se pretendimet e liderit opozitar Avigdor Lieberman janë të sakta. Lieberman, udhëheqës i partisë Yisrael Beiteinu, deklaroi për televizionin publik Kan se Netanyahu në mënyrë të njëanshme autorizoi dërgimin e armëve për klanin Abu Shabab.

“Shteti i Izraelit po i jep armë një grupi kriminelësh dhe elementësh të lidhur me Shtetin Islamik,” tha Lieberman. “Për sa di unë, kjo nuk është miratuar nga kabineti i sigurisë.”

Sipas burimeve, klanit Abu Shabab i janë dorëzuar pushkë automatike, përfshirë edhe ato të kapura nga Hamasi.

Grupi operon në Rafah, një zonë nën kontrollin ushtarak izraelit. Megjithatë, vetë Yasser Abu Shabab ka mohuar kategorikisht se grupi i tij ka marrë armë nga Izraeli.

“Armët tona janë të thjeshta, të vjetruara dhe janë siguruar me ndihmën e popullit tonë,” tha ai.

Nga ana tjetër, burime nga Hamasi kanë raportuar se aktivitetet e klanit të tij janë kthyer në një problem, dhe sipas një gazete arabe, krahu i armatosur i Hamasit ka filluar të likuidojë anëtarë të klanit Abu Shabab.

Kabineti i Netanyahut ka deklaruar se Izraeli “po punon për të mposhtur Hamasin përmes metodave të ndryshme, bazuar në rekomandimet e të gjithë udhëheqësve të sigurisë.”

Një reagim i ashpër erdhi edhe nga Yair Golan, udhëheqës i partisë Demokrate në Knesset, i cili shkroi në rrjete sociale:

“Netanyahu është një kërcënim për sigurinë kombëtare të Izraelit. Në vend që të arrijë një marrëveshje, të kthejë pengjet në shtëpi dhe të sigurojë qytetarët, ai po krijon një bombë të re me sahat në Gaza.”

Kush është Yasser Abu Shabab dhe çfarë përfaqëson milicia e tij?

Në Gazën e shkatërruar nga lufta, ku sundojnë uria, mosbesimi dhe milicitë e armatosura, një figurë ka dalë në pah duke pretenduar se ofron “siguri dhe rend” në territorin nën kontrollin e tij. Ai është Yasser Abu Shabab, udhëheqësi i klanit nga Rafahu, që sot komandon një milici të kontestuar – të cilën shumëkush beson se vepron nën mbrojtjen e ushtrisë izraelite dhe ndodhet në përplasje të drejtpërdrejtë me Hamasin.

I njohur dikur për lidhjet e tij me botën e krimit në Gaza – përfshirë trafikun e drogës dhe kontaktet me grupe ekstremiste si ISIS – Abu Shabab ka ndërtuar së fundmi një imazh të ri si “komandant i forcave popullore”, që supozohet se mbrojnë civilët dhe ndihmat humanitare nga kaosi dhe ndikimi i Hamasit.

Ndërsa disa e shohin si një forcë që mbush boshllëkun institucional në Gaza, Hamasi dhe shumë të tjerë e akuzojnë për bashkëpunim me okupatorin. Hamasi kohët e fundit ekzekutoi katër persona për grabitjen e ndihmave humanitare, ndërkohë që njerëzit e Abu Shababit pretendojnë se janë ata që parandalojnë këto incidente.

Sipas raporteve nga Quds News, Haaretz dhe The Washington Post, milicia e Abu Shababit thuhet se vepron nën mbrojtjen e plotë të ushtrisë izraelite. Dëshmitarë kanë treguar se njerëzit e tij kanë grabitur konvoje ndihmash, ndërsa tanket izraelite vetëm vëzhgonin pa reagim.

Në një rast të raportuar, trupat e Abu Shababit kanë hapur zjarr ndaj një konvoji humanitar vetëm 100 metra larg një tanku izraelit – pa ndonjë ndërhyrje nga ana e ushtrisë.

Menjëherë pas këtij incidenti, një sulm ajror izraelit vrau gjashtë punonjës palestinezë të cilët ishin përpjekur të ndalonin plaçkitjen.

Kategoritë
BotaLajme