Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu akuzoi Iranin, duke thënë se po shënjestron një spital nga i cili pacientët nuk mund të ikin për të kërkuar siguri – duke injoruar dukshëm vuajtjet dhe vdekjen e dhjetëra mijëra palestinezëve në Gazën e shkatërruar nga raketat izraelite.
Duke folur për mediat përpara spitalit Soroka në Be’er Sheva, i cili ishte goditur më herët nga një raketë iraniane, Netanyahu, duke folur për rolin e SHBA-së në rajon, theksoi besimin e tij ndaj presidentit amerikan Donald Trump:
“Presidenti Trump do të bëjë atë që është më e mira për Amerikën. I besoj gjykimit të tij, ai është një mik i jashtëzakonshëm, një udhëheqës botëror i jashtëzakonshëm, një mik i jashtëzakonshëm i Izraelit dhe i popullit hebre,” tha Netanyahu.
Ai gjithashtu shtoi se lufta ka një çmim dhe njerëzit vuajnë.
“Edhe familja ime ka vuajtur. Djali im ka pasur nevojë të shtyjë dasmën dy herë,” tha ai.
Netanyahu shtoi se raketat kanë shënjestruar fëmijë të sëmurë dhe foshnja, duke thënë se askush nuk është imun, kur u pyet nëse Izraeli do të përpiqet të vrasë liderin suprem iranian Ali Khamenei.
“Ata qëllojnë mbi spitale, ku njerëzit nuk mund të ikin nga rreziku. Kjo është diferenca mes një demokracie funksionale që i përmbahet ligjeve dhe këtyre vrasësve,” tha ai.
Kryeministri izraelit nuk specifikoi se për cilat “ligje” po fliste, por është e qartë se me “demokraci funksionale” ai nënkupton rrënimin e spitaleve dhe materniteteve në Gaza dhe qëllimin me predha tanku ndaj qytetarëve që qëndrojnë në radhë për të marrë ndihma humanitare.