Forcat e sigurisë në veriperëndim të Sirisë kanë ekzekutuar 125 civilë gjatë dy ditëve të luftimeve me lojalistët e regjimit të Bashar al-Assadit.
Rrjeti Sirian për të Drejtat e Njeriut (SNHR) ka dokumentuar “ekzekutime masive të burrave dhe të rinjve në terren, pa bërë ndonjë dallim të qartë midis civilëve dhe luftëtarëve”, në veriperëndim të Sirisë.
Luftimet filluan të enjten pasdite, kur militantët besnikë ndaj qeverisë së përmbysur të Assadit organizuan një pritë ndaj forcave të sigurisë siriane në një sulm të koordinuar në një zonë rurale të provincës Latakia. Kjo provincë dikur ishte një bastion i fortë i Assadit dhe mbetet shtëpia e shumë pjesëtarëve të sektit islamik alavit, një pakicë në Siri.
Të premten në mbrëmje, presidenti i përkohshëm Ahmad al-Sharaa u bëri thirrje grupeve të armatosura të lidhura me ish-qeverinë që të dorëzojnë armët “para se të jetë tepër vonë”, ndërsa forcat besnike ndaj qeverisë së re i këshilloi të shmangin sulmet ndaj civilëve dhe keqtrajtimin e të burgosurve, raporton The Guardian.
Kjo operacion i gjerë ushtarak përfaqëson sfidën më të madhe për qeverinë e re në Damask që kur ish-grupi kryengritës Hayat Tahrir al-Sham (HTS) rrëzoi regjimin e Assadit më 8 dhjetor të vitit të kaluar.
SNHR raportoi gjithashtu se në al-Mukhtariya në Latakia, rreth 40 civilë u ekzekutuan së bashku në një vend të vetëm.