Në fund të këtij muaji në qytetin Hagë do të mbahet samiti i NATO-s, ku një nga temat kryesore pritet të jetë rritja e shpenzimeve për mbrojtje në nivelin 5% të BPV-së. Megjithatë, kjo ide mund të hasë në kundërshtimin e Spanjës, e cila refuzon të shpenzojë më shumë se 2% të Produktit të Brendshëm Bruto.
Sipas mediave spanjolle, qeveria e Pedro Sánchez-it, e cila mbështetet në koalicionin me partinë Sumar, që është kategorikisht kundër rritjes së buxhetit të mbrojtjes, do të jetë ndër kundërshtarët më të zëshëm të kësaj iniciative.
Ministrja e Mbrojtjes së Spanjës, Margarita Robles, deklaroi të enjten:
“Besojmë se 2% do të jetë e mjaftueshme për të përmbushur detyrimet tona në kuadër të NATO-s.”
Spanja, që vetëm këtë vit pritet të arrijë për herë të parë pragun prej 2%, nuk konsideron të arsyeshme një rritje të mëtejshme, ndonëse që nga viti 2015 kjo përqindje është konsideruar si minimum nga Aleanca.
Kërkesa amerikane: 5% për mbrojtje
Ambasadori amerikan në NATO, Matthew Whitaker, konfirmoi të mërkurën se Washingtoni do të kërkojë nga të gjitha vendet anëtare të NATO-s të rrisin shpenzimet për mbrojtje në 5% të BPV-së, për të përballuar sfidat në rritje të sigurisë globale.
Megjithatë, është e pasigurt nëse vendet aleate do të mbështesin unanimisht këtë synim ambicioz, sidomos në kontekstin e krizave ekonomike dhe debatit të brendshëm politik për prioritetet e buxhetit.