Në një automjet amerikan në veri të Sirisë shihet kryqi dhe mbishkrimi “kafir” – banorët e quajnë provokim

Banorët e pjesës verilindore të Sirisë e kanë përshkruar si provokues dhe fyese një automjet ushtarak amerikan që patrullonte rajonin me një mbishkrim të dukshëm “kafir” (që do të thotë “mohues” në arabisht) dhe një kryq të krishterë të vendosur në pjesën e përparme.

Sipas raportimit të Middle East Eye më 31 maj pranë qytetit Hasake, automjeti bënte pjesë në një konvoj prej rreth dhjetë automjetesh të blinduara me flamuj amerikanë. Gazetarët që përpiqeshin të fotografojnë automjetin u ndaluan nga ushtarët amerikanë, të cilët refuzuan të japin shpjegime për grafitët.

Fjala “kafir” ka marrë një kuptim të rëndë negativ ndërkombëtarisht, sidomos pas përdorimit të saj të shpeshtë nga Shteti Islamik (ISIS) gjatë luftës civile në Siri, për të justifikuar dhunën ndaj atyre që nuk ndanin ideologjinë e tyre, përfshirë edhe myslimanët.

Pavarësisht faktit se ISIS nuk ka më prani në rajon, banorët lokalë e interpretuan shfaqjen e fjalës “kafir” si një mesazh të qëllimshëm për ta. Ata u ndjenë të fyer, pasi kjo fjalë dhe simboli i kryqit së bashku i ngjajnë një deklarate identitare ndaj vendasve.

“Kjo është një provokim. Ne nuk kemi lidhje me ISIS-in, nuk i quajmë amerikanët mohues, e aq më pak të krishterët që gjithmonë kanë jetuar në Siri. Kaq është e pakuptimtë sa është vështirë të kuptosh çfarë duan të thonë me këtë,” – tha Jihan, 34 vjeçe, kurde nga Hasaka.

Mohammed, 42 vjeç, shtoi: “Fatkeqësisht, kjo pasqyron urrejtjen që myslimanët përjetojnë nga amerikanët që nga 11 shtatori dhe mënyrën se si na perceptojnë.”

Nuk dihet me siguri nëse këto grafite janë bërë nga koha kur ISIS kontrollonte pjesë të mëdha të Sirisë, apo janë bërë më vonë, siç sugjerojnë disa, nga të rinj sirianë me ose pa miratimin e ushtarëve amerikanë, për të provokuar ekstremistët.

Middle East Eye iu drejtua administratës amerikane për koment, por deri në publikim nuk mori përgjigje.

Ngjarja sjell në mendje një tjetër kontroversë të ngjashme në mars, kur ministri amerikan i mbrojtjes, Pete Hegseth, u kritikua për një tatuazh në biceps me fjalën “kafir” dhe një slogan të lidhur me kryqëzatat – i konsideruar si islamofob.

Aktualisht, rreth 2.000 ushtarë amerikanë ndodhen ende në Siri, në kuadër të luftës kundër mbetjeve të ISIS-it, por pritet që ky numër të përgjysmohet.

Sipas banorëve të intervistuar nga MEE, shumë automjete amerikane janë larguar nga bazat ushtarake në Deir Ezzor dhe Rmeilan, duke u drejtuar në drejtim të Erbilit, kryeqytetit të Kurdistanit irakian.

Kategoritë
BotaLajme