Një vajzë 17-vjeçare nga Nevada, SHBA, e cila përdorte fshehurazi cigaren elektronike për tre vjet, është diagnostikuar me një sëmundje të rrallë dhe të pakthyeshme të mushkërive, e njohur në gjuhën popullore si “sëmundja e kokoshkave” (popcorn lung). Rasti i saj ka rindezur shqetësimet për rreziqet shëndetësore që sjellin cigaret elektronike, veçanërisht tek të rinjtë.
Fshehurazi pinte cigare elektronike – shëndeti iu shkatërrua
Brianna Martin, banore e shtetit Nevada, ndjeu për herë të parë probleme serioze gjatë një stërvitjeje, kur i telefonoi nënës dhe i tha se nuk mund të merrte frymë. Fillimisht u mendua se ishte një krizë ankthi, por më pas doli se kishte zhvilluar bronşiolit obliterans, një sëmundje që shkakton dëmtim të përhershëm të rrugëve të frymëmarrjes.
Çfarë është sëmundja e kokoshkave?
Kjo sëmundje u identifikua fillimisht te punëtorët e një fabrike kokoshkash në SHBA, ku ishte zbuluar se thithja e kimikatit “diacetil”, i cili i jep aromën e gjalpit kokoshkave, shkaktonte plagë në mushkëri. Sëmundja shfaqet me simptoma si:
- Kollë kronike
- Vështirësi në frymëmarrje
- Gërhitje e zhurmshme
- Lodhje të vazhdueshme
Diacetili, si dhe substanca të tjera toksike si klori dhe formaldehidi, gjenden edhe në shumë aroma të cigareve elektronike.
Cigaret elektronike – rrezik serioz për shëndetin
Megjithëse disa aroma mund të duken të padëmshme kur konsumohen si ushqim, kur thithen me nxehtësi, ato mund të dëmtojnë drejtpërdrejt indet e mushkërive dhe të përfundojnë në gjak pa filtruar. Në përbërjen e lëngjeve të cigareve elektronike mund të ketë mbi 180 përbërës aromatikë, të cilët gjatë nxehtësisë shkaktojnë përbërje të panjohura toksike.
Sipas studimeve, të rinjtë që përdorin cigare elektronike përjetojnë më shumë probleme me frymëmarrjen në krahasim me ata që pinë cigare klasike – një fakt që po ngjall shqetësime të thella në botën e mjekësisë dhe shëndetit publik.