Ndërsa shtrëngojnë rripin për të gjithë të tjerët, për Izraelin përdorin kompetenca emergjente: Rubio miraton miliarda dollarë për Tel Avivin

Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, ka përshpejtuar dërgimin e ndihmës ushtarake për Izraelin në vlerë prej katër miliardë dollarësh.

“Kam nënshkruar një deklaratë për përdorimin e kompetencave emergjente për të përshpejtuar dërgimin e rreth katër miliardë dollarëve ndihmë ushtarake për Izraelin. Vendimi për të përmbysur embargon e pjesshme të armëve të administratës Biden, e cila padrejtësisht kishte ndaluar furnizimin e disa armëve dhe municioneve për Izraelin, është një tjetër shenjë se Izraeli nuk ka aleat më të madh në Shtëpinë e Bardhë sesa presidentin Trump”, tha Rubio në një deklaratë.

Deklarata e tij vjen një ditë pasi Departamenti i Shtetit njoftoi se kishte miratuar shitjen e mundshme të pajisjeve ushtarake për Izraelin me vlerë prej tre miliardë dollarësh, përfshirë municione, sisteme të udhëzimit dhe buldozerë Caterpillar D9.

Në një deklaratë të dhënë të premten, agjencia konfirmoi se Rubio kishte përcaktuar se ekzistonte një “rast urgjent”, i cili kërkonte shitjen e menjëhershme të armëve për Izraelin, duke anashkaluar procedurat e zakonshme të mbikëqyrjes nga Kongresi.

Rubio tha se, që kur Trump mori detyrën në fund të janarit, administrata e tij ka miratuar gati 12 miliardë dollarë në shitje të mëdha të armëve për Izraelin.

“Ky vendim i rëndësishëm përkon me heqjen e memorandumit të epokës Biden nga presidenti Trump, i cili kishte vendosur kushte të pabaza dhe të politizuara mbi ndihmën ushtarake për Izraelin, pikërisht në një kohë kur aleati ynë i ngushtë po lufton për mbijetesë në disa fronte kundër Iranit dhe grupeve terroriste të mbështetura prej tij”, tha Rubio në një deklaratë të shtunën.

Ai shtoi se administrata e Trumpit do të vazhdojë të përdorë të gjitha mjetet e disponueshme për të përmbushur “angazhimin e kahershëm të SHBA-së për sigurinë e Izraelit”, përfshirë financimin për të luftuar kërcënimet e sigurisë.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë prej kohësh nën kritika të ashpra për mbështetjen e tyre ndaj sulmeve ushtarake izraelite në Rripin e Gazës, mes raporteve të shumta për shkelje të ligjeve ndërkombëtare dhe atyre amerikane.

Kategoritë
BotaLajme