Ndërron jetë nipi i Titos, Josip Joška Broz – do të mbahet mend për thirrjen e turpshme kundër Rezolutës për Srebrenicën

Josip Joška Broz, nipi i ish-presidentit të RSFJ-së Josip Broz Tito dhe anëtar i Kryesisë së Partisë Socialiste të Serbisë, ka ndërruar jetë në moshën 78-vjeçare.

“Me mosbesim mora lajmin se sonte na la shoku dhe miku im Joška Broz, nipi i ish-presidentit të RSFJ-së Tito dhe anëtar i Kryesisë së Partisë Socialiste të Serbisë,” u shpreh Ivica Daçiç, kryetar i Partisë Socialiste dhe ministër aktual i Punëve të Brendshme të Serbisë.

Në vitin 2016, Joška Broz deklaroi për mediat se “jeton si qen”, dhe se përveç mbiemrit të gjyshit nuk i kishte mbetur asgjë tjetër.

Iniciativë e turpshme

Emri i tij do të lidhet edhe me thirrjen e turpshme që ai bëri vitin e kaluar ndaj vendeve anëtare të Lëvizjes së të Painkuadruarve për të votuar kundër Rezolutës për Srebrenicën. Kjo thirrje rezultoi e pasuksesshme, pasi Rezoluta për Srebrenicën u miratua në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Josip Joška Broz ishte politikan dhe ish-deputet në Serbi me përkatësi jugosllave. Ai ishte kryetar i Partisë Komuniste dhe ish-kryetar i shoqatës së qytetarëve “Josip Broz Tito”, të cilën e themeloi në vitin 2005.

Një kohë punoi si pylltar dhe punëtor metalik, më pas si shoqërues i Titos gjatë gjuetive dhe mbikëqyrës i zonave të tij të gjuetisë. Si pjesëtar i Njësisë Antidiversioniste të milicisë, kujdesej për sigurinë e gjyshit të tij deri në vdekjen e këtij të fundit, më 4 maj 1980. Karrierën e mëvonshme e zhvilloi si gastronom në Beograd, ku menaxhoi restorantin “Çuburska lipa” dhe restorantin “Tito”.

Kategoritë
LajmeRajoni