NATO miraton një deklaratë historike: Deri në vitin 2035, 5% e PBB-së për mbrojtje dhe siguri

Liderët e 32 vendeve anëtare të NATO-s miratuan më 25 qershor në Hagë një deklaratë historike, e cila parashikon që deri në vitin 2035, shtetet anëtare të ndajnë 5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) për qëllime të mbrojtjes dhe sigurisë.

Ky vendim vjen në një moment sfidash globale në rritje: kërcënimi afatgjatë nga Rusia, rreziku i vazhdueshëm i terrorizmit, pasiguria në Lindjen e Mesme dhe sulmet kibernetike gjithnjë më të shpeshta.

Në deklaratën e përbashkët, liderët theksuan përkushtimin e palëkundur ndaj sigurisë kolektive dhe nenit 5 të Traktatit të Uashingtonit – shtylla kryesore e NATO-s që parashikon se një sulm ndaj një anëtari konsiderohet sulm ndaj të gjithëve. Ky nen u rikthye në vëmendje pas komenteve të presidentit amerikan Donald Trump, i cili gjatë udhëtimit drejt Hagës deklaroi: “Ka shumë përkufizime të nenit 5. Do t’ju jap përkufizimin e saktë kur të mbërrij”.

Këto deklarata shkaktuan pasiguri midis aleatëve evropianë, veçanërisht atyre në Evropën Lindore, për të cilët garancia e mbrojtjes amerikane mbetet jetike. Edhe pse Trump gjatë samitit u përpoq të qetësonte partnerët me fjalët “jemi me ta deri në fund”, toni dhe mënyra e shprehjes krijuan vend për interpretime diplomatike.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, u përpoq të qetësonte aleatët: “SHBA është plotësisht e përkushtuar ndaj NATO-s dhe nenit 5”. Por, njëherë që mbillen dyshimet politike, është e vështirë t’i largosh plotësisht.

Vendimi i samitit për 5% të PBB-së nënkupton që 3.5% do të shkojë për kapacitetet ushtarake, ndërsa deri në 1.5% për sigurinë e infrastrukturës kritike, mbrojtjen kibernetike, përgatitjet civile dhe zhvillimin e industrisë mbrojtëse. Ndihma direkte për Ukrainën do të përfshihet gjithashtu në këtë përllogaritje.

NATO me këtë vendim përpiqet të balancojë barrën e sigurisë kolektive, e cila prej kohësh ka rënë në mënyrë disproporcionale mbi SHBA. Rutte deklaroi se “për shumë kohë, SHBA ka mbajtur peshën kryesore të nenit 5” dhe vlerësoi Trump për ndikimin e tij në ndryshimin e qasjes së aleatëve ndaj detyrimeve.

Samiti solli edhe skena joformale. Rutte komentoi deklaratat e Trump për Iranin e Izraelin duke thënë: “Babi nganjëherë duhet të përdorë fjalë të ashpra”, ndërsa Trump shtoi: “Ndonjëherë duhet të thuash diçka që të kuptojnë”. Këto shkëmbime joformale ilustruan kompleksitetin e marrëdhënieve brenda Aleancës.

Kryeministri britanik Keir Starmer premtoi se Mbretëria e Bashkuar do të arrijë objektivin e 5% të PBB-së deri në vitin 2035 dhe shtoi se vendi duhet të përgatitet për kërcënime të drejtpërdrejta ushtarake.

Në përfundim, samiti në Hagë vendosi që organizatorët e samiteve të ardhshme do të jenë Turqia në 2026 dhe Shqipëria në 2027. Por NATO do të duhet të tregojë që përtej deklaratave, ka vullnet politik, kapacitete financiare dhe unitet strategjik për t’u përballur me sfidat që po rriten çdo ditë. Deklaratat mund të bëhen në Hagë, por besueshmëria testohet në kufi – nga Balltiku deri në Detin e Zi.

Kategoritë
BotaLajmeLajmet Kryesore