Moska vendos kushte për paqen: Ukraina duhet të pranojë lëshime territoriale dhe të zvogëlojë ushtrinë

Sipas një memorandumi të publikuar nga mediat ruse, Rusia i ka thënë të hënën Ukrainës, gjatë bisedimeve për paqe, se do të pranojë përfundimin e luftës vetëm nëse Kievi heq dorë nga pjesë të mëdha të territorit të saj dhe pranon kufizime në madhësinë e ushtrisë.

Kushtet, të paraqitura zyrtarisht në bisedimet në Stamboll, theksojnë refuzimin e Moskës për të bërë kompromis lidhur me qëllimet e saj të kahershme të luftës, pavarësisht thirrjeve të presidentit amerikan Donald Trump për t’i dhënë fund “gjakderdhjes” në Ukrainë. Ukraina i ka hedhur poshtë disa herë këto kushte ruse, duke i cilësuar si dorëzim të plotë, raporton Reuters.

Delegacionet e palëve ndërluftuese morën pjesë në një takim që zgjati vetëm një orë – vetëm raundi i dytë i tillë i bisedimeve që nga marsi i vitit 2022. Palët ranë dakord të shkëmbejnë më shumë robër lufte, me fokus te më të rinjtë dhe më të plagosurit rëndë, si dhe të kthejnë trupat e 12,000 ushtarëve të vrarë.

Nuk pati përparim lidhur me armëpushimin e propozuar, për të cilin Ukraina, aleatët e saj evropianë dhe SHBA-të kanë bërë thirrje ndaj Rusisë.

Ndërkohë që Moska pretendon se kërkon një zgjidhje afatgjatë dhe jo një pauzë të përkohshme të luftës, Kievi pohon se Putini nuk ka interes për paqe. Trump tha se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të tërhiqen nga përpjekjet e tyre ndërmjetësuese nëse palët nuk tregojnë përparim drejt një marrëveshjeje.

Në memorandumin rus, të publikuar nga agjencia Interfax, thuhet se zgjidhja e luftës do të kërkonte njohjen ndërkombëtare të Krimesë – gadishull që Rusia e aneksoi në vitin 2014 – dhe katër rajoneve të tjera ukrainase që Moska i konsideron territor të saj. Ukraina do të duhej të tërhiqte forcat nga të gjitha këto zona.

Në memorandum përsëriten kërkesat që Ukraina të bëhet një shtet neutral, duke përjashtuar anëtarësimin në NATO, të mbrojë të drejtat e folësve të gjuhës ruse, të shpallë gjuhën ruse si gjuhë zyrtare dhe të miratojë një ndalim ligjor për lavdërimin e nazizmit. Ukraina i hedh poshtë akuzat për nazizëm si absurde dhe mohon diskriminimin e folësve të rusishtes.

Rusia gjithashtu ka formalizuar kushtet e saj për ndonjë armëpushim të mundshëm drejt një zgjidhjeje përfundimtare paqësore, duke paraqitur dy opsione që duken të papranueshme për Ukrainën.

Opsioni i parë, sipas tekstit, kërkon që Ukraina të fillojë një tërheqje të plotë ushtarake nga rajonet Luhansk, Donetsk, Zaporizhia dhe Kherson. Nga këto, Rusia kontrollon plotësisht vetëm të parën, ndërsa mban rreth 70% të pjesës tjetër.

Opsioni i dytë është një pako që kërkon që Ukraina të ndalojë çdo lëvizje ushtarake dhe të pranojë ndalimin e ndihmës ushtarake të huaj, komunikimeve satelitore dhe të dhënave të inteligjencës. Kievi gjithashtu do të duhej të shfuqizonte gjendjen e luftës dhe të mbante zgjedhje presidenciale dhe parlamentare brenda 100 ditëve.

Shefi i delegacionit rus, Vladimir Medinsky, tha se Moska gjithashtu ka propozuar një “armëpushim specifik prej dy deri në tre ditësh në zona të caktuara të frontit” për të mundësuar mbledhjen e trupave të ushtarëve të vrarë.

Kategoritë
BotaLajme