Moska i zgjat dorën Muskut: Rusia e gatshme t’i ofrojë azil miliarderit pas përplasjes me Trumpin

Zëvendëskryetari i parë i Komisionit për Punë të Jashtme në Dumën Shtetërore të Rusisë, Dmitri Novikov, deklaroi të premten se Rusia, nëse miliarderi Elon Musk do të kërkonte azil politik, natyrisht që do të ishte e gatshme t’ia ofronte atë.

Ai e tha këtë në kontekstin e përplasjes së ashpër verbale mes Muskut dhe presidentit amerikan Donald Trump, e cila kulmoi të enjten mbrëma.

“Mendoj se Musk po luan një lojë krejtësisht tjetër dhe se nuk do t’i nevojitet azil politik. Por nëse do t’i duhej, Rusia, sigurisht, do të mund t’ia ofronte”, citohet Novikov nga agjencia shtetërore ruse TASS.

Sipas tij, Musk gjatë viteve të fundit ka ndërtuar “një pozicion të caktuar politik”, dhe për këtë arsye “mosmarrëveshjet individuale do të mbeten thjesht mosmarrëveshje”.

Novikov i bëri këto komente duke folur për përplasjen midis Muskut dhe Trumpit, të cilës me ironi iu bashkua edhe ish-presidenti rus Dmitri Medvedev. Ai u ofrua që Rusia të ndërmjetësojë për një marrëveshje paqeje mes tyre – në këmbim të aksioneve të kompanisë Starlink.

“Jemi të gatshëm të ndërmjetësojmë në arritjen e një marrëveshjeje paqeje mes D (Donald Trumpit) dhe E (Elon Muskut), me kushte të arsyeshme, dhe si kompensim të marrim aksione të Starlink. Djem, mos u grindni”, shkroi Medvedev në rrjetin X.

Përplasja mori hov gjatë një konference për shtyp të Trumpit të enjten me kancelarin gjerman Friedrich Merz.

“Kishim një marrëdhënie shumë të mirë, por nuk e di nëse do ta kemi më. Jam i zhgënjyer nga Elon”, tha Trump, duke shtuar se nuk e kupton pse Musk është aq i zemëruar kohët e fundit. Musk më herët e kishte kritikuar ligjin e ri të buxhetit të Trumpit, duke e quajtur atë “shkelje të neveritshme”.

Trump tha se kjo kritikë nuk kishte kuptim, pasi sipas tij, Musk e kishte parë më parë atë ligj.

Pak pas konferencës, Musk reagoi në rrjetin X duke mohuar pretendimet e Trumpit. Ai tha se nuk e kishte parë kurrë atë ligj dhe se Trump nuk ia kishte treguar asnjëherë. Gjithashtu shtoi se pa ndihmën e tij, Trump nuk do të kishte fituar zgjedhjet presidenciale dhe hapi një sondazh për krijimin e një partie të tretë politike në SHBA.

Musk gjithashtu deklaroi se emri i Trumpit figuron në dosjet e Jeffrey Epstein-it, dhe sipas tij, ky është arsyeja pse ato dokumente nuk janë publikuar kurrë.

“Është koha të hedhim bombën e vërtetë: Donald Trump është në dosjet e Epstein-it. Kjo është arsyeja e vërtetë pse nuk janë publikuar. Ditë të mbarë, DJT!”, shkroi Musk.

Më vonë, në përplasje u përfshi edhe ish-këshilltari i Trumpit, Steve Bannon, i cili propozoi që administrata Trump ta deportojë Muskun si imigrant të paligjshëm, pasi ai vjen nga Afrika e Jugut.

“Duhet të hapet një hetim zyrtar për statusin e tij të imigracionit, sepse jam thellësisht i bindur se ai është imigrant i paligjshëm dhe duhet të deportohet menjëherë”, deklaroi Bannon.

Kategoritë
BotaLajme