Moska dërgon ndihmë për Korenë e Veriut, do të marrin 447 dhi

Megjithëse udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong-un, dhe presidenti rus, Vladimir Putin, në një takim të mbajtur së fundmi në Phenian, ranë dakord për bashkëpunim kryesisht në fushën ushtarake, një nga format e bashkëpunimit do të shfaqet edhe në dërgesën e dhive.

Në një deklaratë të agjencisë ruse për mbrojtjen e bujqësisë thuhet se Rusia ka dërguar 447 dhi në qytetin Rason që ndodhet në Korenë e Veriut.

Dhitë, të cilat janë eksportuar nga rajoni i Leningradit në Rusi, përfaqësojnë serinë e parë të kafshëve shtëpiake që Rusia synon të dërgojë në Korenë e Veriut.

“Dhitë do të mundësojnë prodhimin e produkteve të qumështit dhe do të zbusin mungesën e ushqimit në Korenë e Veriut, kryesisht të shkaktuar nga politikat e qeverisë”, shkruan Politico.

Sipas të dhënave të Human Rights Watch, 10.7 milionë njerëz në Korenë e Veriut janë të kequshqyer, ndërsa 18 për qind e fëmijëve kanë rritje dhe zhvillim të dëmtuar për shkak të kequshqyerjes kronike.

Gjatë udhëtimit të fundit të Putinit në Korenë e Veriut, dy liderët nënshkruan një marrëveshje që i detyron për ndihmë reciproke në rast të një agresioni ndaj njërit prej nënshkruesve të marrëveshjes.

Përveç kësaj, marrëveshja përfshin edhe segmentin e turizmit, si dhe bujqësinë.

Kategoritë
BotaLajme