Mjekja amerikane i shpjegon e përlotur OKB-së përjetimet e saj në Gaza

Kirurgia pediatrike amerikane, Tanya Haj Hassan e cila ka punuar në Rripin e Gazës, nuk mund t’i mbante lotët derisa tregonte përjetimet e saj në Gaza.

Kirurgia pediatrike amerikane, Tanya Haj Hassan e cila ka punuar në Rripin e Gazës, nuk mund t’i mbante lotët derisa tregonte përjetimet e saj në Gaza në sesionin e OKB-së.

Dr. Hassan, anëtare e Asistencës Mjekësore për Palestinezët (MAP), mbajti një fjalim në seancën speciale në OKB në kuadër të 29 Nëntorit, Ditës Ndërkombëtare të Solidaritetit me Popullin Palestinez.

Ajo tha se sulmet e Izraelit në Gaza injorohen nga mediat perëndimore dhe se si mjekë ata nuk mund të pengojnë gjenocidin. Mjekja Hassan nuk mundi t’i mbajë lotët teksa shpjegonte ato që kishte përjetuar gjatë detyrës së saj në Gaza.

“Të gjithë ata që kam njohur në Gaza kishin humbur anëtarët e familjes. Nëna e 6-vjeçarit Siwar që pësoi dëmtime të rënda në tru, teksa qëndronte pranë tij në kujdesin intensiv pyeste me lot në sy se ‘cili ishte faji i fëmijës së saj'”, thotë Haj Hassan.

Në fjalimin e saj, Hassan foli për një të moshuar që ndihmonte për dërgimin në shërbimin e urgjencës të të plagosurve në sulmet izraelite dhe i cili përpiqej t’i qetësonte ata.

“Atë e shihja çdo ditë dhe mendoja se ishte një punonjës spitali por më pas mësova se kishte filluar të punonte si vullnetar në spital pasi e gjithë familja e tij ishte vrarë në fillim të gjenocidit”, tregon mjekja Hassan.

Ndërsa lidhur me përjetimet e 13-vjeçarit Amir që humbi të gjithë familjen pas bombardimit të shtëpisë, Hassan tha:

“Amir, 13-vjeçari që u plagos rëndë në qafë pas bombardimit të shtëpisë së tij dhe i cili e thërriste vazhdimisht motrën e tij, nuk e kuptoi se personi që ndodhej pranë shtratit të tij ishte motra e tij që ishte djegur në një gradë sa nuk mund të njihej. Amiri ishte i vetmi anëtar i mbijetuar i familjes së tij kur i vdiq motra. I mbaj mend shikimet e tij të zbrazëta dhe zërin e tij të butë që më pëshpëriste në vesh: ‘Sikur të kisha vdekur bashkë me ta, të gjithë ata që i duan janë në xhennet (parajsë). Nuk dua të jem më këtu'”.

Hassan u bëri thirrje njerëzve të kenë ndjeshmëri duke menduar se janë prindër të këtyre fëmijëve.

Kategoritë
BotaLajme