Ministri izraelit i Mbrojtjes kërcënon liderin iranian Khamenei: “Mund të përfundosh si Saddami”

“Do të ishte mirë që Irani të kujtonte fatin e diktatorit (Saddam Hussein) i cili zgjodhi të njëjtën rrugë kundër Izraelit në vendin e tij fqinj (Irak)”, u shpreh Ministri izraelit i Mbrojtjes, Yisrael Katz

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Yisrael Katz, e kërcënoi udhëheqësin iranian Ali Khamenei se mund të “përfundojë si udhëheqësi i rrëzuar irakian Saddam Hussein”, transmeton Anadolu.

Sipas një deklarate me shkrim nga Ministria e Mbrojtjes, Katz u takua me komandantë të lartë të ushtrisë izraelite për të vlerësuar situatën në lidhje me sulmet ndaj Iranit.

Duke iu referuar sulmit ajror që ata kryen dje ndaj televizionit shtetëror, Katz tha se ata do të vazhdojnë sulmet e tyre ndaj Iranit.

Ai tha se e “paralajmëroi Khamenein” për hakmarrjet e kryera nga Irani, duke iu referuar udhëheqësit të rrëzuar irakian Saddam Hussein pa e përmendur atë.

“Do të ishte mirë që Irani të kujtonte fatin e diktatorit (Saddam Hussein) i cili zgjodhi të njëjtën rrugë kundër Izraelit në vendin e tij fqinj (Irak)”, u shpreh Katz.

Sipas raportimeve në mediat ndërkombëtare u pretendua se Izraeli dëshironte të kryente një atentat ndaj udhëheqësit iranian Khamenei, por Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, e pengoi këtë.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, në një intervistë me televizionin amerikan ABC dje, pohoi se shënjestrimi i Khameneit do t’i jepte fund konfliktit.

– Konflikti filloi me sulmet e dhunshme të Izraelit ndaj Iranit

Më 13 qershor, Izraeli nisi sulme në shkallë të gjerë duke synuar objektet bërthamore në qytete të ndryshme në Iran, si dhe komandën e lartë ushtarake.

Ndërkohë që Shefi i Shtabit të Iranit, Komandanti i Përgjithshëm i Gardës Revolucionare, disa komandantë të lartë dhe 9 shkencëtarë bërthamorë vdiqën në sulme, numri total i viktimave civile u njoftua si 224.

Raportohet se 24 persona u vranë dhe më shumë se 500 të tjerë u plagosën në hakmarrjen e ushtrisë iraniane kundër Izraelit me raketa balistike.

Shumë vende, përfshirë Turqia, dënuan sulmet e Izraelit.

Kategoritë
BotaLajme