Ministri i Mbrojtjes së Izraelit, Israel Katz, deklaroi se ka urdhëruar ushtrinë izraelite (IDF) të ndalojë anijen “Madleen”, në të cilën ndodhet aktivistja suedeze për klimën Greta Thunberg, që po udhëton drejt Rripit të Gazës.
Anija është organizuar nga koalicioni propalestinez Freedom Flotilla Coalition (FFC), që sipas autoriteteve izraelite është anti-izraelit. Në bord gjenden gjithsej 12 aktivistë, mes tyre edhe Thiago Avila nga Brazili dhe Rima Hassan, eurodeputete me prejardhje franko-palestineze.
Mesazhi i Katz:
“I kam urdhëruar forcat tona të parandalojnë që ‘Madleen’ të mbërrijë në Gaza. I them qartë Greta Thunbergut dhe miqve të saj antisemitë: ‘Duhet të ktheheni mbrapa, sepse nuk do të arrini në Gaza’”, citohet të ketë thënë Katz, sipas Times of Israel.
Ai shtoi se Izraeli nuk do të lejojë askënd të thyejë bllokadën detare të Gazës, duke e cilësuar si masë për të parandaluar furnizimin e Hamasit me armë.
Aktivistët: Po dërgojmë ndihmë humanitare
Aktivistët që gjenden në bord kanë theksuar se po transportojnë ndihma humanitare urgjente për popullin palestinez, i cili përballet me mungesë ekstreme të ushqimit, ilaçeve dhe nevojave bazike.
Një nga aktivistët konfirmoi se dronë po patrullojnë mbi anijen, ndërsa ata janë në kontakt të vazhdueshëm me përfaqësues ndërkombëtarë dhe zyrtarë.