Ministri i Mbrojtjes së Pakistanit: “Nëse sot qëndrojmë të heshtur, nesër të gjithë do të jemi shënjestër”

Ministri i Mbrojtjes së Pakistanit: Qëndrojmë pranë Iranit në çdo mënyrë – të gjithë mund të bëhemi shënjestër

Ministri i Mbrojtjes së Pakistanit, Khawaja Asif, reagoi pas mbledhjes së djeshme të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, e cila ishte e përqendruar në përplasjen mes Izraelit dhe Iranit.

Asif theksoi se Irani po vepron i vetëm në këtë situatë, duke kujtuar se Pakistani ka marrëdhënie shekullore me këtë shtet fqinj dhe se mbështetja pakistaneze ndaj Iranit nuk do të mungojë.

“Në këtë kohë sprove, qëndrojmë pranë Iranit në çdo mënyrë të mundshme. Do të mbrojmë interesat iraniane. Iranianët janë vëllezërit tanë dhe ndajmë me ta dhimbjen dhe pikëllimin,” u shpreh ai.

“Nëse sot qëndrojmë të heshtur, nesër të gjithë do të jemi shënjestër”

Duke theksuar se Izraeli është duke sulmuar njëkohësisht Palestinën, Iranin dhe Jemenin, Asif vlerësoi se është thelbësore uniteti i botës islame.

“Nëse sot qëndrojmë të ndarë dhe të heshtur, atëherë në fund do të jemi të gjithë objektiva,” paralajmëroi ai.

Thirrje për mbledhje të Organizatës së Bashkëpunimit Islam

Ministri pakistanez kërkoi thirrjen e menjëhershme të një takimi të Organizatës së Bashkëpunimit Islam dhe vuri në dukje se edhe popullsia jobesimtare në Perëndim po proteston kundër Izraelit. Sipas tij, ndërgjegjja e tyre është zgjuar, ndryshe nga ajo e botës myslimane, e cila ende hesht.

“Nuk e njohim Izraelin dhe nuk do ta njohim kurrë”

Asif ritheksoi se Pakistani që nga fillimi ka qenë i qartë në qëndrimin e tij: nuk e njeh Izraelin dhe nuk ka marrëdhënie me të. Ai u bëri thirrje edhe vendeve të tjera myslimane që të ndërpresin lidhjet me Izraelin, sepse:

“Duart e Izraelit janë të përgjakura nga gjaku i myslimanëve dhe ato duar duhet të refuzohen,” raportoi agjencia Mehr.

Kategoritë
BotaLajme