Ministrat izraelitë kërcënojnë mediat e huaja për raportimet nga vendet e sulmuara nga raketat iraniane

Ministrat izraelitë të ekstremit të djathtë kanë filluar të ushtrojnë presion të shtuar ndaj mediave të huaja, duke i kërcënuar me hetime nga agjencitë e sigurisë, për shkak të raportimeve dhe transmetimeve të drejtpërdrejta nga vendet ku kanë rënë raketat iraniane.

Në një letër drejtuar ushtruesit të ri të detyrës së shefit të agjencisë së sigurisë Shin Bet, ministri i Sigurisë Kombëtare Itamar Ben Gvir deklaroi se disa media ndërkombëtare “po shkelin urdhrat e censurës” dhe se veprimet e tyre “përbëjnë rrezik serioz për sigurinë kombëtare”.

Ben Gvir kërkoi që Shin Bet të veprojë menjëherë për të ndaluar sjelljen e rrezikshme dhe të papërgjegjshme të raportimit të vendndodhjeve të sulmeve me raketa në kohë reale.

Kryetari i opozitës në Izrael, Yair Lapid, kritikoi ashpër deklaratat e Ben Gvirit, duke theksuar se: “Vendosja e një embargoje të plotë për raportimet është e pazbatueshme në një epokë kur të gjithë kanë telefon me kamera dhe kjo vetëm sa dëmton mbështetjen ndërkombëtare që Izraeli ka marrë javën e fundit për luftën e drejtë që po zhvillon.”

Sipas CNN, gazetarët që veprojnë në Izrael janë të detyruar të respektojnë ligjet izraelite për censurën ushtarake, dhe në disa raste të dorëzojnë pamjet për shqyrtim para publikimit.

Në një deklaratë të përbashkët me Ben Gvirin, ministri izraelit i Komunikimeve Shlomo Karhi tha se mediat e huaja që operojnë në Izrael janë duke shkelur direktivat për censurë.

“Këto pamje shpesh zbulojnë vendndodhjet e sakta të goditjeve me raketa, përmasat e dëmeve dhe ndonjëherë edhe materiale vizuale të ndjeshme nga vendi i ngjarjes,” u tha në deklaratë.

Situata po tensionohet gjithnjë e më shumë edhe në frontin mediatik, teksa qeveria izraelite po përpiqet të kontrollojë rrjedhën e informacionit, ndërsa komuniteti ndërkombëtar po ndjek zhvillimet me shqetësim.

Kategoritë
BotaLajme