Dhjetëra mijëra palestinezë po largohen nga pjesët lindore të qytetit të Gazës në veri të territorit, pasi Izraeli paralajmëroi një ofensivë të madhe ushtarake.
Ushtria izraelite përmes rrjeteve sociale paralajmëroi për “operacione ushtarake që do të përshkallëzohen, intensifikohen dhe do të shtrihen drejt perëndimit, në drejtim të qendrës së qytetit, me qëllim të shkatërrimit të kapaciteteve të organizatave terroriste”.
Dëshmitarët përshkruan skena kaosi, ndërsa familjet përpiqeshin të mblidhnin pak gjëra që u kishin mbetur – tenda dhe pak ushqime – duke i vendosur në karroca gomarësh, biçikleta, furgonë të improvizuar dhe makina.
Një numër i madh palestinezësh të zhvendosur më parë nga shtëpitë apo kampet në veri të qytetit të Gazës, ishin zhvendosur në këto zona pas rinisjes së operacioneve izraelite dhe përplasjeve me Hamasin që nga dështimi i armëpushimit të brishtë në muajin mars.
Paralajmërimet e Izraelit erdhën pas disa ditësh me sulme ajrore dhe bombardime, në të cilat humbën jetën qindra persona.
Sipas Agjencisë së Mbrojtjes Civile të Gazës, vetëm të dielën u vranë 23 palestinezë, përfshirë të paktën tre fëmijë.
Një banor i Jabalias, 60-vjeçari Ahmed Arar, tregoi se shtëpia e familjes së tij ishte shkatërruar pas një paralajmërimi që kishin marrë nga një person që ishte prezantuar si oficer ushtarak izraelit.
Ushtria izraelite nuk komentoi rastet individuale, por tha se “po lufton për të çmontuar kapacitetet ushtarake të Hamasit”.
Gjithashtu është në rritje shqetësimi për shpërndarjen e ndihmave ushqimore. Qindra palestinezë të dëshpëruar janë vrarë muajin e fundit ndërsa përpiqeshin të arrinin në pikat e ndarjes së ndihmave apo gjatë grumbullimit në vendet ku kamionët e ndihmave ndaleshin për shkak të presionit të madh.
Numri i përgjithshëm i të vrarëve palestinezë nga 7 tetori 2023 ka arritur në 56.500 persona.